GIZ raporton mbi nevojat lokale për punësim në Gjakovë
Prishtinë, 24 nëntor - Përfaqësues të Drejtorisë Rajonale për Punësim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës, të Qeverisë Komunale të Gjakovës, dhe të Organizatës Gjermane GIZ sot në sallën e madhe të Komunës së Gjakovës, kanë organizuar debat me temën Vlerësimi i nevojave lokale për punësim në Gjakovë.
Në këtë tubim është prezantuar raporti i komisionit nga GIZ që ofron informacione mbi sektorin e rinisë, sektorin privat dhe strukturat e punësimit në Gjakovë.
Fillimisht drejtori i Drejtorisë dhe Administratës së Përgjithshëm dhe Personelit në Komunën e Gjakovës, Armend Vokshi, ka falënderuar përfaqësuesit e Organizatës GIZ lidhur me këtë projekt që ka të bëjë me përkrahjen e mekanizmit për bashkëpunim në mes të akterëve në fushën e punësimit, sektorit të rinisë dhe komunitetit të biznesit në Gjakovë.
Komuna e Gjakovës ka për objektiv dhe mision të vetin përkrahjen e punësimit të rinjve dhe në këtë rast vlerësojmë lartë angazhimin e të gjithë akterëve që kanë punuar në këtë projekt, dhe se Komuna e Gjakovës është mbështetës i fuqishëm i kësaj fushe, ka thënë drejtori Armend Vokshi.
Për të arriturat dhe objektivat e këtij projekti ka raportuar znj. Emily Collom, udhëheqëse e projektit YEPiK.
Raporti komisionarë nga GIZ ofron një analizë dhe vlerësim të gjendjes aktuale të nevojave të sektorit të rinisë dhe të atij privat në Gjakovë, me qëllim të rritjes së mëtejshme të promovimit të punësimit në Kosovë, ka thënë znj. Collom.
Ajo ka shtuar se studimi ynë në këtë fushë ka paraqitur në pah sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen të rinjtë që kërkojnë punë, si dhe në kuptimin e sfidave të sektorit privat gjatë punësimit të punëtorëve të rinj.
Në ndërkohë znj. Vjosa Mullatahiri, nga projekti YEPiK, ka prezantuar të gjeturat nga Raporti i Vlerësimit të Nevojave për punësimin e të rinjve.
Ajo ka thënë se 48% e të rinjve marrin informacione për punësim nëpërmjet rrjeteve sociale, pastaj 80 % e të rinjve kanë deklaruar se nuk përfitojnë nga Zyra për Punësim dhe nuk janë të regjistruar, ndërkohë që 53% kanë deklaruar se po përfitojnë nga programet e aftësimit në QAP, dhe 48% janë të interesuar të ndjekin trajnimet profesionale e kështu me radhë.
Në këtë debat është prezantuar edhe puna në grupe për hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë, siç është identifikimi i tri intervenimeve kryesore që mund të mobilizojnë të rinjtë në komunën tonë dhe promovojnë punësimin e tyre, pastaj duhet të definohen akterët përgjegjës për rolin e tyre për secilin rast të punësimit.