GIZ mbështet ATK-në në zvogëlimin e evazionit fiskal
Prishtinë, 23 shkurt - Margus Sarapuu përfaqësues nga GIZ- projekti për Qeverisje të Mirë Financiare në Kosovë dhe bashkëpunëtori i tij Mentor Hyseni kanë vizituar Drejtorin Ekzekutiv të ATK-së Ilir Murtezaj dhe menaxhmentin e lartë. Qëllimi i këtij takimi ishte planifikimi i ciklit të ardhshëm të ofrimit të mbështetjes për ATK-në.
Sarapuu theksoi se si organizatë në vazhdimësi i kemi ofruar institucionit të ATK-së mbështetje në fusha të caktuar, të cilat padyshim kanë dhënë rezultatet e veta në synimet që kemi pasur.
Andaj, edhe përmes strategjisë së ardhshme do të vendosim pikat në të cilat do të punojmë së bashku.
Ai gjithashtu potencoi se organizata GIZ është e fokusuar në zvogëlimin e evazionit fiskal, si dhe ngritjen e nivelit të përmbushjes.
E nga ana tjetër, drejtori Murtezaj ka falënderuar për gjithë mbështetjen e ofruar për ATK-në, duke shtuar se përpjekjet e menaxhmentit çdoherë kanë qenë maksimale në arritjen e rezultateve.
Po ashtu, theksoi se institucioni që drejton ka punuar në ndërtimin e mekanizmave, të cilët minimizojnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare, për të cilën dukuri së fundi është draftuar edhe Plani Kundër Korrupsion për Administratën Tatimore të Kosovës 2023.
Murtezaj tutje gjatë diskutimit me përfaqësuesit nga GIZ, njoftoj se vetëm gjatë tri viteve të fundit nga veprimet e ndërmarra në ngritjen e llogaridhënies dhe përgjegjëses, është arritur që të parandalohet dëmtimi i buxhetit në vlerë mbi 10 milion euro.
Veç këtyre, sipas tij në ATK ka nevojë ende që të forcohen nismat e planifikuara, siç është avancimi i mëtejmë i shërbimeve ndaj tatimpaguesve,- pavarësisht që vitin 2021 është arritur 100% shërbime digjitale.
Në fund të takimit z.Sarapuu tha se këto çka u përmenden nga drejtori Murtezaj janë mbresëlënëse, andaj edhe do të vazhdojmë të jemi bashkë në realizimin e mbështetjes tonë në të ardhmen, në pikat të cilat kanë reflektim të në dy segmente, siç është zvogëlimi i ekonomisë jo formale, si dhe ngritja e përmbushjes tatimore.