19 Nëntor 2024

Gërxhaliu: Viti 2013, me suksese e dështime

Albulena S. Mavraj

Prishtinë, 3 janar - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, 2013-n e ka vlerësuar vit të sfidave për ekonominë kosovare. Ai është shprehur skeptik se viti 2014 do të përcillet me zhvillim ekonomik.

Në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai është shprehur se vetë fakti që në vitin 2014 ka paralajmërime se do të ketë zgjedhje në nivel qendror, atëherë me siguri do të jetë edhe një mundësi që partitë e ndryshme politike ta shfrytëzojnë mosprivatizimin e PTK-së për t’i punësuar militantët e vet dhe kështu t’i sigurojnë votat në të ardhmen.

Epoka e re: 2013-a mund të konsiderohet vit i sukseseve apo i dështimeve për ekonominë kosovare?

Gërxhaliu: Viti që po lëmë pas i ka pasur sfidat e veta më shumë nga këndvështrimi politik sesa ekonomik. Kemi mjaft arsye të mos tregojmë eufori me të arriturat. E tërë kjo që është arritur duhet më tepër të na obligojë t’i përvishemi punës, të investojmë në ekspertizë shkencore, mbi të gjitha në aspektin edukativ, në mënyrë që ekonomia të jetë prioritet i prioriteteve.

Është e vërtetë se në disa fusha janë arritur disa hapa pozitivë, qoftë në partneritetin me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), me Bankën Botërore (BB), si dhe me anëtarësimin në institucione të rëndësishme financiare.

Por e tërë kjo duhet ta ketë atë efektivitetin e vet pozitiv për qytetarin. Përderisa e kemi këtë shkallë të papunësisë dhe këtë varfëri, përderisa edhe më tutje Kosova vazhdon të eksportojë vetëm para të gatshme nëpërmjet importit të produkteve, e që është në një diskrepancë 87 me 13 për qind, e tëra kjo është diçka që duhet të na obligojë shumë më tepër.

Është e vërtetë se kemi rritje ekonomike, mirëpo vjen e analizuar nga disa institucione dhe pothuajse kurrë nuk e kemi të njëjtën. Por, sido që të jetë, rritja ekonomike duhet të ketë shtrirje horizontale në disa faktorë. Të mos jenë gjithherë vetëm ato rritjet ekonomike, të cilat bazohen në konsum ose në investime në infrastrukturë.

Epoka e re: Çfarë ka mundur të bëjë Qeveria e Kosovës e që nuk është bërë gjatë këtij viti?

Gërxhaliu: Institucionet vendore agjendën e kanë pasur të stërngarkuar, mirëpo është për t’u përshëndetur fakti se kemi një legjislacion, i cili është i harmonizuar me standardet evropiane. Kosovës shumë më tepër i duhet legjislacion, i cili është në funksion të zhvillimit e, i cili është efektiv bazuar në indikatorët ekzistues në ekonominë kosovare.

 

Nuk na duhen ligje vetëm për qeveritarë, por të cilat kanë vërtet efekte pozitive. Në këtë drejtim është koha të kemi qasje më tepër në substancë, prandaj duhet të merren opinionet e komitetit të biznesit në përgjithësi në mënyrë që ato ligje ta kenë funksionalitetin e vet.

 

Kjo nuk nënkupton se një ligj, i cili ka pasur sukses në Austri ose Gjermani, i njëjti vetëm mund të përkthehet dhe të pritet të ketë sukses edhe në Kosovë. Kosova i ka veçoritë e veta ekonomike, prandaj na duhet fleksibilitet. Në qoftë se në këtë drejtim mendohet të avancohet procesi i legjislacionit, atëherë partneriteti publiko-privat, dialogu konstruktiv dhe qasja më konstruktive në dëgjime të ndryshme publike, janë ato për të cilat duhet të bëhet më shumë në të ardhmen.

Epoka e re: Është duke punuar Qeveria me plan akut apo afatgjatë?

Gërxhaliu: Problemi më i madh është se Kosovës i mungon një plan nacional zhvillimor. Po ta kishim një plan të tillë, me siguri ai do të ishte i bazuar në aspektin kohor. Me siguri do të dihej cilat janë objektivat dhe në cilën kohë duhet të realizohen.

Nuk mund të ketë zhvillim dhe ardhmëri të qëndrueshme në qoftë se sjellin vetëm politika ad-hoc, ose merren parasysh vetëm problemet në momentin e shfaqjes.

Në këtë drejtim duhet vërtet të mendohet se cilat janë prioritetet në aspektin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Një planifikim i tillë do t’i dinamizonte Qeverinë dhe institucionet e në të njëjtën kohë komiteti i biznesit dhe qytetarët do të ishin më aktivë.

Epoka e re: Cili është mendimi juaj për premtimin e Qeverisë për rritjen e pagave dhe rritjen ekonomike?

Gërxhaliu: Kriza sociale në Kosovë është thelluar, mirëpo jemi të orientuar të gjenden modalitete për një mirëqenie më të mirë. Fakti se premtimet janë dhënë në kampanjë zgjedhore, ndoshta e kanë pasur një pompozitet ose një fryrje pa substancë.

Nuk jemi kundërshtarë të rritjes së pagave, por duhet të veçohet edhe aspekti tjetër, sepse nuk duhet gjithmonë të jemi të prirë në rritje të pagave vetëm në sektorin publik. Duhet që, krahas rritjes ekonomike dhe proceseve politike, të mendohet edhe për sektorin privat, i cili është bartës i zhvillimit ekonomik.

Nga ky sektor privat krijohet buxheti i konsoliduar i Kosovës. Besoj se po bëhet një padrejtësi, pasi trendët dhe indikatorët ekonomikë s’janë në favor të sektorit privat.

Përpos këtyre, kam edhe një shqetësim: në qoftë se gjithmonë do të ketë rritje të pagave me një përqindje kaq të madhe në sektorin publik, atëherë me siguri se edhe orientimi i edukimit të rinjve për t’u punësuar do të jetë vetëm në institucione publike, kurse gjenerimi i vendeve të reja të punës vetëm nga sektori publik nuk është nder dhe garanci e stabilitetit social. Pra, jam i orientuar ta mbështes sektorin privat.

Duhet të gjendet modaliteti për ta mbrojtur sektorin privat, në të njëjtën kohë të motivohen të rinjtë nëpërmjet kampanjave të ndryshme që të përgatitën e të kenë qasje më profesionale e më pragmatike karshi sektorit privat.

Epoka e re: Në çfarë gjendje është momentalisht sektori privat?

Gërxhaliu: Bëhen analiza të shumta sa i përket sektorit privat. Në qoftë se dikujt, si kryetar i Odës Ekonomike do t’i përkulesha, me siguri se këtë do ta bëja për komitetin e biznesit vendor, në veçanti sektorin privat. Në qoftë se bëhet një analizë në dimensionin rajonal, se çfarë mbështetje ka komiteti i biznesit në vendet e rajonit në raport me bizneset vendore, vërtet nuk kemi arsye për t’u mburrur. Gjendshmëria dhe puna e palodhshme e tyre kanë bërë që ata të krijojnë vende të reja të punës.

Epoka e re: Marrëveshja në mes të Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj të Serbisë i hap mundësitë e zhvillimit të dyanshëm apo?

Gërxhaliu: Oda Ekonomike gjithmonë duhet t’i japë shans dialogut dhe partneritetit të mirëfilltë. Mbi të gjitha, kur bisedohet për sektorin privat, për rrugëtimin integrues të Kosovës, padyshim dialogu dhe partneriteti janë çelës i suksesit.

Në këtë drejtim edhe OEK-u ka dhënë kontribut, sepse ka tentuar të jetë pjesë e European Chambers dhe për të qenë pjesë kësaj ode duhet të përmbushen disa kritere të avancimit dhe partneritetit.

Kemi filluar një bashkëbisedim me mbikëqyrje të Komisionit Evropian dhe European Chambers me Odën Ekonomike të Serbisë. Bisedat kanë qenë vërtet konstruktive e të bazuara në ekspertizë profesionale. Marrëveshja me Odën Ekonomike të Serbisë është identike me ato që OEK-u i ka nënshkruar me 48 oda të ndryshme në botë. Kjo marrëveshje është një e arritur sepse nuk përmban fusnotë e as Rezolutë 1244, pra është një marrëveshje ndërshtetërore.

Në vazhdën e kësaj marrëveshje janë arritur edhe dy marrëveshje të tjera: ajo për arbitrazhe ekonomike, të cilat funksionojnë në kuadër të OEK-ut dhe asaj të Serbisë si dhe ajo për avancimin e dialogut dhe këmbimin e informacioneve ekonomike.

Për marrëveshjen e dytë kemi vendosur t’i këmbejmë përfaqësuesit e dy odave. Përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Serbisë në Kosovë do të ketë rol dual për bashkëpunimin në mes të dy odave. Po ashtu, do të jetë edhe një pikë referuese për serbët në Kosovë, të cilët do ta fitojnë një adresë për t’u informuar.

Epoka e re: Privatizimi i PTK-së ka pasur stagnim. Mendoni se kjo i destimulon investitorët e huaj për të ardhur në Kosovë?

Gërxhaliu: Po. Sa më tepër që është duke u folur rreth privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, aq më tepër është duke u rritur shkalla e devalvimit moral e material të kësaj ndërmarrje publike. Procesi i privatizimit në Kosovë i ka pasur katrahurat e veta, por procesi i privatizimit të Postë-Telekomit është një storie dhe roman në vete.

 

Sot teknologjia inovative është avancuar aq tepër saqë nuk mund të krahasohet me atë që e ka sot PTK-ja. PTK-ja, mbi të gjitha, është një kompani e cila është shndërruar në një ndërmarrje me karakter social nëpërmjet punësimit të pakontrolluar dhe me ngjyrë politike, andaj jo vetëm se po i bëhet dëm kompanisë dhe procesit të privatizimit, por është duke u dëmtuar edhe imazhi i Kosovës karshi investitorëve të huaj.

 

Ky proces duhet të përfundojë, pasi vërtet është shndërruar në një maratonë, e cila nuk i bën nder Kosovës. Sa më shpejt që të privatizohet, mundësitë e tërheqjes së investitorëve të huaj do të rriten.

Nëse nuk do të ketë sukses privatizimi, atëherë kjo ndërmarrje do ta humbet vlerën e vet edhe më tepër nga vetë fakti që sot IPKO-ja e ka teknologjinë me moderne 3G. Pasi do të jetë dhe një operator i tretë në veri të Mitrovicës, kjo e bën Kosovën me 1 milion e 700 mijë banorë të barabartë me Gjermaninë, e cila i ka tre operatorë telefonikë.

Në qoftë se PTK-ja nuk privatizohet, ky do të jetë një grusht i rëndë kundër proceseve. Vetë fakti se në vitin 2014 ka paralajmërime se do të ketë zgjedhje në nivel qendror, atëherë me siguri do të jetë edhe një mundësi që partitë e ndryshme politike ta shfrytëzojnë mosprivatizimin e PTK-së për t’i punësuar militantët e tyre dhe kështu t’i sigurojnë votat në të ardhmen.

Epoka e re: Cilat janë instrumentet kryesore që Qeveria e Kosovës duhet t’i përdorë për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik?

Gërxhaliu: Ne mund ta bëjmë identifikimin e shumë dobësive dhe mangësive në ambientin e të bërit biznes në Kosovë siç janë: korrupsioni, burokracia, tenderomania, ekonomia e kriminalizuar, prokurimi e shumëçka tjetër.

Ne mund t’i identifikojmë 100 probleme, të cilat e karakterizojnë aktualitetin ekonomik në Kosovë, por emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit.

Në qoftë se mendohet për investitorë të huaj dhe për të qenë atraktivë për tërheqjen e tyre, kjo ndërlidhet drejtpërdrejt me sundim të rendit dhe ligjit, po ashtu në qoftë se mendohet në konkurrencë jolojale dhe në luftë kundër informalitetit në prokurim publik, prapë kjo ndërlidhet me sundimin e ligjit. Zgjidhja e problemeve në Kosovë e ka vetëm një emërues të përbashkët: ai është sundimi i rendit dhe ligjit.

Epoka e re: Çfarë prisni nga viti 2014?

Gërxhaliu: Viti 2014 do të jetë mjaft sfidues. Në rend të parë po hyjmë në një vit me një dialog mjaft të vështirë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pastaj i kemi negociatat për Stabilizim Asocim. Dhe, ajo çfarë është më interesante, nuk e kemi një platformë të fuqishme për zhvillim ekonomik, kur kësaj i shtohen edhe faktorizimi dhe fuqizimi shumë i madh i faktorit serb në Kosovë. Këto besoj se janë arsyet më të mira për ta kuptuar se 2014-a do të jetë një vit enorm e sfidues për realitetin kosovar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)