Gërxhaliu: Vendimi ka dëmtuar tregtinë ndërmjet dy vendeve
Gërxhaliu ka premtuar se nëse këmbëngulësia e ministres Kusari-Lila do të vazhdojë, këtë problem do ta ngrehë në KKAK, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha institucionet relevante shtetërore.
Ai i ka thënë për Epokën e re se me vendimin e MTI-së shihet qartë se ka afera enorme korruptive, afera enorme të krimit të organizuar dhe kontrabandës e përfitime personale nga njerëz të caktuar.
Gabimet që i ka bërë ministrja Kusari-Lila nuk i bën një amator, e mos të flasim për një ministre që e udhëheq një ministri shumë të rëndësishme. Është koha të merret prokuroria me këtë rast. Nëse prokuroria dhe drejtësia e Kosovës nuk merren me këtë rast, atëherë është mirë të shpallet dita e varrosjes së drejtësisë në vend, ka deklaruar ai.
Gërxhaliu ka vlerësuar se vendimi i Mimozës (siç e quan ai ministren Kusari-Lila) jo që ka dëmtuar tregtinë ndërmjet dy vendeve, por e ka dëmtuar shumë imazhin e Kosovës, qoftë tek investitorët, por edhe më gjerë.
Ky është një kriminalitet i organizuar nga njerëz të caktuar. Gjithsesi duhet të hetohet kompania Sharrcem, pasi tradita e saj e importimit të çimentos, si lëndë të parë, ka filluar më herët. Është koha të ndalet kjo dukuri negative për Kosovën dhe biznesin, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ta kthejë prapa vendimin e ministres Kusari-Lila, pasi kjo, sipas tij, është në të mirë të Kosovës, të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë relevantë në vend.
Duhet urgjencë e madhe sepse nuk ka kurrfarë baze ligjore që ai vendim të mbetet në fuqi dhe të bëjë që Kosova dhe Shqipëria ta kenë këtë problem, i cili nuk është dashur fare të ndodhte, është shprehur ai.
Gërxhaliu ka shtuar se nuk ia vlen që tash e tutje Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) të quhet si e tillë, sepse nuk përkon me atë që Amerika ka bërë për Kosovën dhe popullin e saj. Por, sipas tij, kësaj ode duhet hequr nocioni Amerikane dhe të zëvendësohet me nocionin Sharrcem.
Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës nuk duhet të quhet Amerikane, por oda e Sharrcemit, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) më 11 qershor 2012 pati marrë vendim për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35-përqindësh.
Ky vendim është i përkohshëm, në afat prej 90 ditësh, por nëse shihet e nevojshme mund të shtohen edhe 30 ditë të tjera, pra 120 ditë. Vendimi, sipas MTI-së, ka për qëllim mbrojtjen e tregut vendor derisa të zhvillohen hetimet.