Gërxhaliu: Politika duhet te ndahet nga ekonomia
Prishtinë, 18 prill - Me organizim të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe mbështetje nga Qeveria e Kosovës, sot është hapur edicioni i 19-të tradicional i Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018”.
Panairi mbahet prej datës 18 deri më 21 prill, në Qendrën e Panaireve, fshati Shkabaj, Magjistralja Prishtinë - Mitrovicë.
Në këtë panair, prodhimet dhe shërbimet e tyre do t’i ekspozojnë 174 kompani të ndryshme. 88 prej tyre janë nga Kosova, ndërsa 86 të huaja.Këto biznese vendëse dhe ndërkombëtare janë nga sektorë të ndryshëm të prodhimit, përpunimit, bujqësisë, shërbimeve, tregtisë dhe zejtarisë.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se në këtë panair promovohen vlerat e ndërmarrësisë dhe Integrimit Evropian. Ai tha se beson se nga panairi do të dalë një mesazh për të ndërtuar të ardhmen, që politika të ndahet nga ekonomia.
“Agjenda politike vitetve të fundit i ka lënë në hije aktivitetet ekonomike. Sot me praninë e juaj Prishtinën e keni shndërruar në kryeqytet të Ballkanit Perëndimor për aktivitete ekonomike. Promovohen vlerat e ndërmarrësisë dhe Integrimit Evropian, kjo i jep ekonomisë kuptim më ndryshe, por mbi të gjitha mund të sigurojë garancë politike dhe ekonomike, si dhe të ndryshojë imazhin e Kosovës. Dua të besoj që nga ky panair do të dal një mesazh, të ndërtojmë ardhmërinë të bazuar në edukim dhe sundim të rendit dhe të Ligjit”.
Gërxhaliu tha se janë këta biznesmen që kanë pasur guximin të ndajnë politikën nga ekonomia.
“ Janw këta biznesmen që kanë guximin të ndajnë politikën nga ekonomia dhe sot po promovojmë vlera. Ky është panairi i fundit në panair si kryetar i Odës, sepse në Odë së shpejti do të ketë zgjedhje dhe jam i bindur që ai i cili do zë vendin tim do të vazhdoj punën e mire që ka bërë Oda Ekonmike.I falënderoj ata që më kanë kritikuar në mënyrë të argumentuar dhe ata që nuk kanë zgjedhur mjete për të më sulmuar në raste të caktuara edhe në familje”, përfundoi Gërxhaliu.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se përmbyllja e shtetësisë së Kosovës dhe ndërtimi i një shoqërie të fortë e demokratike nuk mund të bëhet pa ekonomi, derisa ftoi bizneset e huaja që të investojnë në Kosovë.
“Zhvillimi ekonomik është shndërruar në prioritet të qeverisë, dhe kjo është betejë që duhet ta fitojmë së bashku. Ky panair dëshirojmë që në të ardhmen të ketë pjesëmarrës edhe më shumë nga vendet evropiane. Njëra prej prioriteteve është që Kosova të jetë vend i hapur që gjithkush të vijë dhe të investojë. Dua ta ftoj secilin prej jush që të investoni në Kosovë. Ne do të bëhemi pjesë e BE-së, na mbetet ta caktojmë shpejtësinë e re drejt Evropës dhe kjo shpejtësi varet nga ekonomia më shumë sesa nga politika”.
Në ceremoninë e hapjes solemne, kanë marrë pjesë ministra kosovarë, ambasadorë, përfaqësues të odave ekonomike dhe biznesmenë.
I pranishëm në hapjen solemne ka qenë edhe drejtori i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh.