Gërxhaliu: Nëse nuk miratohet buxheti, sektori privat do të pësojë
Prishtinë, 8 janar - Safet Gerxhaliu, ekspert i ekonomisë, thotë se sektori privat do të pësojë më së shumti nga mungesa e miratimit të buxhetit të Kosovës dhe se bankat në Kosovë do të jenë përfituese në këtë situatë sepse bizneset do duhet të hyjnë në kredi të shumta për të operuar pasi, siç dihet sektori private është shtyllë kryesore e ekonomisë së Kosovës.
“Nëse nuk miratohet buxheti i vitit 2020, ai që do të pësojë më së shumti është sektori privat, pasi që bizneset do të jenë të detyruar të hyjnë në kredi për të përmbushur nevojat e tyre”, tha ai për RTK.
Sipas tij është urgjencë që sa më shpejt të miratohet buxheti. “Nëse nuk miratohet buxheti do të ketë mungesë të realizmit të investimeve kapitale, po ashtu edhe do të ketë probleme të bizneseve vendore. Sektori privat do të jetë i goditur. Me qeverinë e re do të duhet të ketë projeksione të tjera, pasi që koalicioni i ri nëse krijohet do të ketë prioritete të tjera”, tha ai.
Ai tha se nëse nuk miratohet buxheti duhet të gjendet zgjidhje tjetër, duke përfshirë edhe që të kyçet presidenti.
Kosova ka miratuar vetëm korniza afatmesme të shpenzimeve 2020–2023, e cila paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Sipas kësaj kornize, buxheti i Kosovës parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro.