Gërxhaliu: Kundërshtar të Kosovës papunësia dhe zhvillimi ekonomik
Kemi pasur takim mjaftë pragmatik ku u prekën çështjet që kanë të bëjnë me proceset ekonomike, çka duhet bërë që zhvillimi ekonomik të jetë prioritet dhe si të avansohen të arriturat, në veçanti sa i përket legjislacionit, realizimi i MSA-së dhe falënderojmë ministrin Hoti për pakon fiskale dhe angazhimin e tij që një pako e tillë të jetë e debatuar dhe të krijon lehtësira shumë të mëdha për bizneset, tha kryetari Gërxhaliu.
Kreu i OEK-ut tha se veçanërisht është biseduar për zonat e lira ekonomike dhe tha se ministrja e tregtisë dhe industrisë, Hykmete Bajrami ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë dhe MTI-së për hapjen e zonave ekonomike.
Gërxhaliu tha se i ka informuar ministrat për të arriturat e OEK-ut, për anëtarësimin ne EUROCHAMBERS dhe Konfederatën e Odave Ekonomike Evropiane dhe Botërore, shembull pozitiv si në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në procesin e Berlinit dhe në takimet e niveleve shumë të larta.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se shkas i vizitës së saj dhe ministrit të financave Avdullah Hoti është lansimi i projektit të unifikimit të numrit të biznesit që mundëson që nga katër numra biznesi të ketë një numër unik të biznesit, që do të ndikon në uljen e burokracisë dhe do të lehtësoj punën e bizneseve.
Gjatë bisedës ne shfrytëzuam rastin që të bisedojmë edhe për projekte te tjera, pasi që siç e dini shumë shpejtë fillon implementimi i MSA-së dhe me ketë rast MTI ka filluar kampanjën e informimit të bizneseve për kërkesat dhe benifitet që dalin nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, tha ministrja Bajrami.
Ajo theksoi se janë edhe dy projekte të rëndësishme të cilat janë duke i realizuar me partnerët financiar ndërkombëtar siç janë certifikimi e produkteve për standardet e cilësisë i kualitetit me të cilën do tu ndihmohet ndërmarrjeve të cilat janë duke prodhuar me një certifikimi të kualitetit dhe për fazën e dytë të granteve të cilat do të realizohen në bashkëpunim me donator.
Ministrja Bajrami tha se gjithashtu është folur edhe për zonat e lira ekonomike dhe theksoi se për realizimin e këtij projekti është duke u biseduar me Bankën Investive Evropiane dhe EBRD-në duke theksuar se edhe ne kuadër të MTI-së ka një buxhet simbolik për përkrahjen e tyre.
Përmendem edhe një sërë ligjesh të cilat kemi në plan ti plotësojmë dhe ndryshojmë me qëllim të përmirësimit të ambientit të biznesit. Kishte edhe çështjet të cilat u ngritën nga ana e biznesit sot në takim për të cilat ne i informuam se jemi në adresim të sipër të tyre, tha e para e MTI-së.
Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimeve dhe bashkëpunimit të mirë dhe të gjithanshëm në mes të ministrive dhe OEK-ut.
Kam thënë disa herë dhe po e përsërisë se suksesi i Odës Ekonomike, anëtarëve të saj është sukses i Qeverisë së Kosovës, është sukses i ynë i përbashkët, tha ministri Hoti.
Duke vlerësuar se pakoja fiskale ka dhënë kontribut të rëndësishëm në krijimin e lehtësirave për të bërit biznes, ministri Hoti tha se para institucioneve dhe komunitetit të biznesit mbetet edhe një punë e gjatë
Ai tha se i ka informuar të pranishmit në takim për disa nga çështjet të cilat MF do të punojmë gjatë këtij viti.
Përmes platformës së investimeve planifikojmë të investojmë rreth 520 milion euro, në projektet e ndryshme të cilat janë aprovuar në Qeveri dhe të cilat shpejtë do ti mundësojmë përmes kredive ndërkombëtare për biznese vendore dhe ndërkombëtare, tha ministri Hoti.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me një deklaratë të përbashkët në mes të OEK-ut dhe Odës Ekonomike të Serbisë për të cilën ka pas edhe reagime në opinion, kryetari Gërxhaliu tha se nuk e ka konsideruar të arsyeshme që deri më sot të mbrohet nga sulmet lidhur me këtë çështje.
Por, pas keni bërë pyetje, rendi e do që edhe unë të them çfarë mendoj:
Komunikata e përbashkët e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odes Ekonomike të Serbisë është një njohje e re ndërkombëtare që i bëhet vendit tonë nga ana e Serbisë. Pra, Oda Ekonomike e Serbisë e njeh si të barabartë Odën Ekonomike të Kosovës dhe si dy subjekte të pavarura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, komunikojmë mes vete dhe edhe me botën.
Pse kemi reaguar: Oda Ekonomike e Kosovës ka qenë gjithmonë për dialog si të vetmen formë për zgjidhjen e problemeve, ndërsa jo për dhunë. Dhe, në bazë të këtij parimi, ne nuk mund ti mbyllim sytë kur dhuna ndodh në radhët tona.
Unë ju lus që, duke e analizuar këtë çështje, ti keni parasysh tri elemente të paevitueshme për çdo konkludim:
1. Nëse si shoqëri lejojmë që gjithkush që është i pakënaqur me proceset politike të dal në Autostradën e Kombit dhe i sulmon kamionët , atëherë në si shoqëri shkojmë në gjendje që quhet vetëgjyqësi. Në popull, kjo gjendje quhet kaos.
2. Nëse si shoqëri lejojmë që gjithkush që është i pakënaqur me proceset politike të dal në Autostradën e Kombit dhe i sulmon kamionët atëherë ne u krijojmë pretekstin nacionalistëve serb që nesër të hedhin gurët mbi qindra mijëra pjesëtarë të diasporës tonë, që çdo vite kalon nëpër Serbi duke ardhur në shtëpi.
3. Dhe e treta, hedhja e gurit mbi kamionët me mallra është hedhja e gurit mbi vullnetin e biznesit kosovar, interesat e të cilëve Oda Ekonomike e Kosovës duhet ti mbroj dhe i mbron.
4. Oda Ekonomike e Kosovës rregullisht të gjitha shqetësimet e bizneseve kosovare i ka ngritur në bisedat në Bruksel, në procesin e Berlinit, në një trup të krijuar për Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor ku OEK-u ka rolin dominant edhe pse deri dje nuk ka qenë anëtare e këtyre forumeve.
Gjithashtu është formuar edhe forumi investiv i këtyre odave ku përveç odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor është Sllovenia, Kroacia, Shqipëria.Dhe deri sa behën debate të këtilla këtu ne jemi në proces të përgatitjes së Samitit të Berlinit i cili do të mbahet në Paris në qershor dhe në të cilin do të paraqiten projekte konkrete në interes të zhvillimit ekonomik, stabilitetit social dhe përshpejtim të proceseve integruese të Kosovës.