Gërxhaliu: Barrierat administrative, pengesë për zhvillimin biznesit
Prishtinë, 3 dhjetor - Në vazhdën e takimeve me institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu u takua me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit reciprok në trajtimin e cështjeve më vitale për zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në fushën e krijimit të lehtësirave për sektorin privat, si gjenerues i vetëm i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes të punësimit.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj prezantoi objektivat zhvillimore të Qeverisë të Republikës të Kosovës, në raport me përkrahjen dhe krijimin e kushteve për rritjen e sektorit privat, sidomos përmes reformave strukturore dhe rritjes së investimeve publike në sektorë vital për zhvillimin ekonomik të vendit si: Infrastruktura dhe Energjia.
Poashtu ai ofroi edhe përkrahjen e Minsitrisë së Zhvillimit Ekonomik për trajtimin dhe gjetjen e zgjidhjeve për shumicën e problemeve akute që pengojnë në përmbushjen e agjendës zhvillimore.
Në anën tjetër Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, prezantoi aktivitetin e Odës Ekonomike të Kosovës, që është në përputhje të plotë me kërkesat dhe propozimet e të gjithë anëtarëve të komunitetit të biznesit në Republikën e Kosovës si dhe investitorëve të huaj që aktualisht veprojnë në Republikën e Kosovës dhe atyre potencial.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Gërxhaliu paraqiti një varg cështjesh dhe propozimesh të anëtarëve të ndryshëm të Odës Ekonomike të Kosovës, që janë paraqitur përmes shoqatave të ndryshme sektoriale të cilat ne të njejtën kohë janë edhe ndër kontribuesit kryesor në zhvillimin ekonomik të vendit, përmes kontributit direkt në buxhetin e Kosovës dhe punësimin e qëndrueshëm.
Në mesin e cështjeve të diskutuara temë dominate ishte raporti me Invesitorët e huaj që përkundër promovimeve të vazhdueshme të mundësive për investime, ende po hasin në barriera të llojit administrativ, shpeshehrë duke mos pasur fare mundësinë të hyjnë në Kosovë si rrjedhojë e mungesës e burokracisë dhe mosrespektimit të ligjshmerisë në pikat kufitare dhe duke u trajtuar në kuadër të politikave anti-emigracion ilegal.
Në këtë drejtim u kërkua që të këtë koordinim institucional, në mënyrë që investitorët, edhe në rastet e kalimit të kufirit , të trajtohen konform ligjeve ekzistuese.
Gjithashtu u paraqit edhe një nga shqetësimet kryesore të muajve të fundit nga bizneset që lidhet me cështjet e raporteve të biznesve me agjencitë ekzekutive, para se gjithash me ATK-në, Doganat e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, përkatësisht rastet si kërkesa për mbylljen e depove doganore që deri tani kanë funksionuar në funksion të lehtësirave për biznest si dhe cështja e importit të produkteve ushqimore nga Bosna.
Poashtu Gërxhaliu prezantoi kërkesën e komunitetit të biznesit për zgjerim të listës së mallrave që do të përfshihen në ligjin e miratuar në parim për Lirimet Doganore.
Në të gjitha pikat e lartëcekura, të dyja institucionet u pajtuan në parim që të vazhdojnë diskutimet edhe me institucionet tjera relevante në kërkim të zgjidhjeve specifike konform bazës ligjore dhe institucionale dhe në harmoni me objektivat zhvillimore të vendit.