Gërguri: Kosova do të ketë rritjen më të madhe të GDP në rajon
Prishtinë, 28 gusht - Në Kosovë ekziston stabilitet financiar falë koordinimit të shkëlqyeshëm ndërinstitucional, ka thënë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Gani Gërguri.
Sipas parashikimeve të BQK-së por edhe të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, vendi ynë do të ketë rritjen më të madhe të prodhimit bruto në rajon.
Në prezantimin tek Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Gani Gërguri theksoi bashkëpunimin ndërinstitucional:
Kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Ministrinë e Financave, koordinimi midis dy institucioneve tona dhe thesarit pranë Ministrisë së Financave është shembull për koordinim ndërinstitucional në mënyrë shumë të pavarur por me objektiva për interesa ekonomike të vendit , tha Gerguri.
Në këtë drejtim Gërguri potencoi edhe Komisionin për Stabilitet Financiar në të cilin vet ai, ministri i financave Bedri Hamza si dhe kryetari i Komisionit për Buxhet e Financa Safete Hadërgjonaj përcjellin ecuritë më të ndjeshme në sektorin financiar dhe në ekonominë e vendit.
Gërguri njëherit theksoi se në bazë të analizave të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim vendi ynë do të ketë rreth 4 herë rritjen më të madhe reale të Prodhimit Bruto të Brendshëm krahasuar me mesataren e vendeve në rajon, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e zi, Serbinë etj.