Gërguri i dorëzoi Krasniqit raportin vjetor të BQK-së
Prishtinë, 3 korrik - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore, Gani Gërguri, i cili shoqërohej edhe nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, Gazmend Luboteni.
Guvernatori Gërguri ia dorëzoi Kryekuvendarit Krasniqi Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2011. Me këtë rast ai nënvizoi performancën shumë të mirë të BQK-së në realizimin e objektivave të saja ligjore.
Krahas sigurimit të stabilitetit financiar të vendit si dhe arritjes së normës së rritjes ekonomike prej 5%, Guvernatori theksoi si të arritura të veçanta edhe funksionalizimin e plotë të tregut të letrave me vlerë të qeverisë, të skemës së sigurimit të depozitave, të Byrosë Kosovare të Sigurimit, pastaj përmbushjen e agjendës legjislative për sektorin financiar si dhe përmbushjen e detyrave nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian përfshirë edhe kryerjen e detyrave për marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Këto të arritura të veçanta, sipas Guvernatorit, flasin për një rritje cilësore të koordinimit ndërinstitucional midis BQK-së, Ministrisë së Financave dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Duke elaboruar mbi ecuritë e parapara për vitin 2012, Guvernatori Gërguri theksoi se pikëpamja e përgjithshme është optimiste, në veçanti sa i përket rritjes ekonomike, pastaj uljes së inflacionit si dhe rritjes së mëtejme të aseteve të sektorit financiar.
Në këtë kontekst Kryekuvendari Krasniqi dhe Guvernatori Gërguri e vlerësuan të rëndësishme vazhdimin e anagazhimeve në drejtim të uljes së mëtejme të normës së kamatave në sistemin bankar.
Kryekuvendari Krasniqi falënderoi Guvernatorin Gërguri për dorëzimin e Raportit vjetor dhe inkurajoi udhëheqjen e Bankës Qendrore për angazhime të mëtejme duke i siguruar mbështetjen e nevojshme për përmbushjen e agjendës kushtetuese dhe ligjore të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.