16 Maj 2024

Gerguri: Ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë stabile

Prishtinë, 19 dhjetor - Guvernatorit i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Gani Gërguri me rastin e publikimit të numrit të dytë të Raportit të Stabilitetit Financiar të Kosovës, ka thënë se ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë stabile duke reflektuar normë pozitive të rritjes.

Rritja e importeve dhe kredisë për sektorin privat sipas tij reflekton rritjen e kërkesës së brendshme.

Po ashtu ai ka thënë se konsumi dhe investimet e sektorit privat kanë vazhduar të kenë rol parësor në zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend.

"Rritja dyshifrore e kredisë bankare, rrjedha stabile e dërgesave të emigrantëve si dhe investimet e huaja bashkë me rritje të theksuar të eksporteve kanë kontribuar për arritjen e normës pozitive të rritjes reale të PBB-së që për vitin 2011 pritet të jetë rreth 5 për qind", ka thënë Geguri.

Përkundër faktit se mbulesa e importeve me eksporte po shënon trend rritës, deficiti i llogarisë rrjedhëse sipas tij vazhdon të sfidojë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike të Kosovës, ashtu siç papunësia e lartë vazhdon të mbetet një ndër problemet më serioze për ekonominë e Kosovës.

Ai ka thënë se të dyja këto  parashtrojnë nevojën për një dinamikë edhe më të madhe dhe për një “meny” edhe më të pasur të aktivitetit ekonomik i cili do të rezultonte me rritje të prodhimit vendor dhe krijim të vendeve të reja të punës.
 
Njëkohësisht sektori financiar, në veçanti sistemi bankar, sipas Gerugrit vazhdon të rritet fuqishëm duke shënuar rritje dyshifrore të kredisë dhe depozitave.

Në të njëjtë kohë, raporti midis mjeteve likuide dhe mjeteve gjithsej flet për rezerva të forta të likuiditetit në sistem.

Derisa kapitalizimi i sistemit bankar mbetet në nivele të larta mbi 17 për qind), kreditë joperformuese sillen në nivele modeste më pak se 6 për qind, ndërsa në të njëjtën kohë fitimi i bankave vazhdon të jetë i fuqishëm.

Ai ka vlërsuar se sistemi bankar i Kosovës gjatë gjithë kohës ka dëshmuar se është një sistem i qëndrueshëm, madje edhe në kohërat kur sistemet bankare me traditë edhe më të gjatë veprimi janë luhatur nga tronditjet e shkaktuara prej krizës globale.

Bankat në Kosovë vazhdimisht kanë mirëmbajtur norma të larta të likuiditetit dhe të kapitalizimit, duke tejkaluar madje edhe kërkesat rregullative të Bankës Qendrore dhe disa nga standardet ndërkombëtare në këtë fushë.

Me rezerva likuiditeti që vazhdimisht tejkalojnë nivelin e rezervës së detyrueshme të kërkuar nga BQK dhe një tregues të mjaftueshmërisë së kapitalit që është dukshëm më i lartë se niveli minimal i kërkuar nga BQK, sistemi bankar i Kosovës demonstron nivel të lartë imuniteti.

Një stabilitet i tillë i sistemit bankar e bën perspektivën ekonomike të vendit edhe më pozitive dhe më rezistente nga tronditjet që mund të vijnë nga sektori i jashtëm.

Gerguri po ashtu ka bërë të ditur se në kohën kur oferta për fonde në tregjet e jashtme po bëhët gjithnjë e më problematike, rritja e vazhdueshme e depozitave të qytetarëve të Kosovës nëpër banka po përfaqëson një avantazh shumë të rëndësishëm për zgjerimin e qëndrueshëm të aktivitetit kredidhënës në vend.

Kjo sipas tij edhe e bën unik sistemin bankar në Kosovë duke minimizuar kështu nevojën e ekspozimit të tij qoftë në aspektin e huamarrjes/huadhënies ndërkufitare, qoftë në atë të ekspozimit ndërvalutor – ekspozime këto sot mjaft sfiduese për shumë sisteme bankare të vendeve të regjionit dhe më gjerë.

Ndër temat më të debatueshme në Kosovë pa dyshim vazhdon të mbeten normat e interesit, posaçërisht normat e interesit për kredi.

"Ne konsiderojmë se lartësia e normave të interesit reflekton kushtet dhe perceptimet me të cilat bankat ballafaqohen në ushtrimin e aktivitetit të tyre, ku përfshihen ambienti i përgjithshëm afarist në vend e me theks të veçantë efikasiteti i sistemit gjyqësor, raportimi financiar nga firmat si dhe aftësia e firmave për të bërë planifikime të mirëfillta biznesore që premtojnë një shfrytëzim prudent të kredisë."

Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se ka hapësirë që edhe bankat të gjejnë mënyra që sigurojnë një operim sa më efikas, i cili do të çonte drejtë zvogëlimit të shpenzimeve operacionale dhe rrjedhimisht do të zvogëlonte edhe çmimet e produkteve bankare.

Përveç sistemit bankar, kontribut të çmuar në vazhdimësi kanë dhënë edhe institucionet tjera financiare në vend.

Sistemi pensional, gjatë gjysmës së parë të vitit ka shënuar ngritje të performancës në investimet e mjeteve si në aspekt të çmimit për një aksion të Trustit ashtu edhe në kthimin në investime që deri në fund të tetorit ka qenë pozitiv.

"Është me rëndësi të veçojmë se gradualisht po krijohen kushtet për rritjen e investimeve të Trustit brenda vendit dhe këtu hapin më të rëndësishëm e paraqet fillimi i emetimit të letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës i paraparë për janar të vitit 2012", ka theksuar Gerguri.

Një ritëm i kënaqshëm i zhvillimit sipas tij ka ndjekur edhe industrinë e sigurimeve në vend, ku ende rol dominues ka sigurimi i përgjegjësisë ndaj palës së tretë.

Aktiviteti i sigurimeve vullnetare po shënon zgjerim të vazhdueshëm me çka çdo ditë e më tepër qytetarët e Kosovës po kanë mundësi më të mëdha të shfrytëzimit të shërbimeve që ofron kjo industri dhe kështu të minimizojnë pasojat e mundshme nga ndodhitë e papritura.

Një sistem tjetër i rëndësishëm në strukturën e sektorit financiar të Kosovës ka të bëjë me Institucionet Mikrofinanciare, të cilat krahas bankave komerciale, paraqesin një burim të rëndësishëm financimi për ekonominë e Kosovës.
 
Kriza e fundit globale financiare si dhe problemet aktuale me të cilat po ballafaqohet ekonomia e Eurozonës padyshim se kanë ndikuar negativisht edhe në gatishmërinë e investitorëve të këtyre vendeve për të zgjeruar praninë e tyre në Kosovë dhe në vendet tjera të rajonit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)