GDP e Britanisë bie më shumë se parashikimi
Londër, 25 janar - Prodhimi i Brendshëm Bruto në Britani të madhe ka rënë në tremujorin e fundit në një normë më të madhe nga parashikimet duke e afruar atë në recesionin e tretë për katër vitet e fundit.
Rënia i është atribuuar aktivitetit të dobët në detin e veriut si dhe sektorit të manifakturës.
Zyra britanike e statistikës raportoi sot se Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 0.3 për qind në tremujorin e fundit të 2012, vlerë më e lartë se parashikimi për rënie me vetëm 0.1 për qind dhe shumë më e ulët se rritja 0.9 për qind që regjistroi në periudhën Korrik-Shtator.
Lajmi është një goditje për qeverinë konservatore të Cameron, që një ditë më parë, përkundër kritizcizmit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, bëri një mbrojtje të fortë të programeve të shtrëngimit të ekonomisë.
Bazuar në statistikën e sotme, Prodhimi i Brendshëm Bruto në Britani është 3.3 për qind më u ulët se kulmi që preku në tremujorin e parë të vitit 2008, dhe ka rikuperuar vetëm gjysmën e vlerës që ka humbur gjatë krizës financiare.
Paralelisht kjo është dhe performanca më e dobët në mesin e ekonomive të mëdha të industrializuara në botë. Britania ka qenë në recesion në periudhën mes fundit të vitit 2011 deri në mesin e vitit 2012.
Ndikimin më të madhe në rënien e Prodhimit të Brendshëm Bruto e ka dhënë rënia me 10.2 për qind në normë tremujore e aktivitetit të minierave dhe të guroreve.
Kjo është rënia më e madhe që nga viti 1997 kur nisi mbajtja e statistikës dhe është ndikuar nga çrregullimi në furnizimin me gaz dhe naftë nga rajonet e detit të veriut.