Gashi ia dorëzon Departamentin e Investimeve ministres Rozeta Hajdari
Prishtinë, 12 shkurt - Ish-ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, i ka dorëzuar sot zyrtarisht ministres Rozeta Hajdari Departamentin e Investimeve Strategjike, i cili tashmë i është bashkuar Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.
Z. Gashi e ka informuar ministren Hajdari për sfidat, me të cilat është ballafaquar sektori i investimeve strategjike, si dhe për punën që ka bërë ministria për t’i sjellë Kosovës investitorë strategjikë.
Z. Gashi, gjithashtu, e ka njoftuar znj. Hajdari rreth investimeve potenciale që kanë mbetur në proces për shkak të ndërrimit të Qeverisë, duke e inkurajuar që t’u japë hapësirën dhe mbështetjen e nevojshme investitorëve që tashmë i kanë përmbushur kriteret për investime strategjike.
Ndërkaq, ministrja Hajdari e ka falënderuar z. Gashi për punën që ka bërë tërë këto vite për investitorët dhe Ligjin për Investime Strategjike. Ajo ka theksuar se do t’i trajtojë me prioritet të gjitha proceset përfituese për ekonominë e vendit, duke përfshirë edhe investimet strategjike.
Ministrja Hajdari, duke e falënderuar në veçanti ish-ministrin Gashi për bashkëpunimin, ka theksuar se do të kërkojë ndihmë dhe këshilla nga përvoja e tij në fushën e investimeve.
Me qeverinë Kurti, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike është ndarë në dy pjesë: Diaspora ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa Investimet Strategjike në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.