Garantimi i të drejtës në pronë është prioritet i Ministrisë së Drejtësisë
Prishtinë, 10 shkurt - Sot, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka marrë pjesë në Konferencën për Strategjinë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, ku të pranishëm ishin ambasadori i ShBA-së në Kosovë Greg Delawie dhe Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Në fillim të fjalës së saj, Ministrja Hoxha e vlerësoi si hap mjaft të rëndësishëm vazhdimin e fuqizimit të sistemit funksional të të drejtave pronësore, për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, pasi që sipas Ministres Hoxha në një shoqërori të lirë, të zhvilluar dhe demokratike e drejta në pronë është një nga të drejtat themelore të njeriut.
Ministrja Hoxha falënderoi programin e USAID-it për kontributin e dhënë në hartimin e Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, si dhe gatishmërinë për përkrahjen e institucioneve në zbatim të masave që dalin nga ky dokument strategjik.
Falënderoj zëvendëskryeministrin Kuçi për mbështetjen e ofruar gjatë hartimit të këtij dokumenti strategjik, që si rezultat e gjithë kjo punë dhe ky përkushtim i përbashkët ka rezultuar me finalizimin dhe miratimin e Strategjisë, tha Ministrja Hoxha.
Në këtë drejtim, theksoi Ministrja, duhet hequr kufizimet të cilat pengojnë realizimin e plotë të të drejtave të njeriut.
Mungesa e implementimit efikas të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat mbi pronën e paluajtshme, shkalla e gjerë e informalitetit në fushën e të drejtave pronësore, zbatimi jo-konsistent i të drejtave pronësore, kanë ndikuar në dobësimin e sistemit të drejtave pronësore në Kosovë, që rrjedhimisht ka reflektuar në nivelin jo të kënaqshëm të realizimit të të drejtave të njeriut, përfshirë kufizimin e të drejtave të grave si pasojë e botëkuptimeve shoqërore që pengojnë realizimin e të drejtave të tyre në trashëgimi dhe kjo po ashtu përbënë faktor të rëndësishëm në rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Ministrja Hoxha më tej vlerësoi se bashkëpunimi në mes të akterëve relevant është tejet i nevojshëm me qëllim që të gjitha veprimet e kësaj strategjie të jetësohen në mënyrë sa më efektive.
Ajo shtoi se Ministria e Drejtësisë mbetet plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar për të krijuar një ambient ku të gjithë qytetarët e saj do të trajtohen të barabartë para ligjit, sepse kjo është më e pakta që duhet të bëjmë për qytetarët e këtij vendi.
Edhe Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, para të pranishmëve, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, drejtori i Misionit të USAID-it, James Hope, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kryetarë të komunave dhe personalitete të tjera, zëvendëskryeministri Kuçi tha se synimi kryesor i Strategjisë është të ndërmerren hapa përmbajtjesorë për fuqizimin e sigurisë juridike ndaj pronës private të qytetarëve, si dhe masa për shfrytëzim produktiv të tokës në funksion të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit.
Ne vijmë nga një traditë juridike, nga një traditë edhe nacionale, që përcaktimin e të drejtave pronësore nuk e kemi bërë në kohën e duhur, nganjëherë e kemi lënë te gjyshërit tanë, baballarët apo te dikush që nuk jeton më. Në këtë drejtim kemi arritur që përmes kësaj strategjie të përcaktojmë qartë mjetet edhe kushtet, edhe kohën si do të formalizohen të drejtat pronësore, tha zëvendëskryeministri Kuçi.
Më tej, zëvendëskryeministri Kuçi, tha se nuk ka zhvillim ekonomik të një vendi nëse nuk definohen qartë të drejtat pronësore në atë vend. E para, ka të bëjë për çështje të vendit, që njerëzit duhet të kenë pronën e vet, të administrojnë atë, ta zhvillojnë dhe, e dyta, edhe investitorët e huaj duhet ta dinë qartë që investimin ta bëjnë në një pronë të definuar qartë në kuptimin juridik, theksoi zëvendëskryeministri.
Një çështje që do të rregullohet me lansimin e strategjisë është edhe çështja e informalitetit dhe se motiv kryesor i kësaj strategjie është barazia, përcaktimi i qartë i të drejtës për secilin qytetarë, pa marrë parasysh përkatësinë etnik apo gjinore.
Duke u përqendruar në të drejtat pronësore të grave, zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar se në Kosovë më pak se 4 për qind e femrave trashëgojnë, e më pak se 14 për qind të tyre kanë pronë të veten. Unë mendoj se kjo është pak. 50 për qind e gjeneratës sonë, e njerëzve tanë që jetojnë sot, gratë dhe vajzat nuk posedojnë pronë. Ato janë të pabarabarta, por edhe të përjashtuara nga zhvillimi ekonomik, theksoi Kuçi, duke shtuar se strategjia është konkrete dhe shumë praktike.
Po ashtu, zëvendëskryeministri Kuçi, ftoi të gjithë akterët, në veçanti institucionet që do ti zbatojnë masat e kësaj Strategjie, duke përfshirë ato të drejtësisë, ministritë e linjës, Agjencinë Kadastrale, shoqërinë civile dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, të marrin pjesë në mënyrë aktive në fuqizimin e të drejtave pronësore.
Qeveria e ka seriozisht mbështetjen e saj, në radhë të parë me aktivitetet, koordinimin ndërministror, ndërinstitucional me mbështetjen buxhetore dhe nevojat për ndryshime ligjore. Do ti përcjellim të gjitha këto dhe unë jam i bindur po ashtu se kjo strategji është evolutive, që nuk e prek esencën e qëllimeve që i kemi vënë në këtë strategji, por do të punojmë drejt arritjes së standardeve më të larta, tha Kuçi, me besimin se brenda këtij mandati që do të ketë rezultate të prekshme dhe kjo strategji të jetë e prekshme për cilindo qytetarë të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar Strategjinë Kombëtare për të Drejtat Pronësore më 18 janar 2017, si dhe njëkohësisht ka themeluar Komitetin Drejtues për mbikëqyrje të zbatimit të Strategjisë, që kryesohet nga Zëvendëskryeministri Kuçi dhe përbëhet nga niveli më i lartë institucional, ministra të linjës dhe krerë të agjencive të pavarura, për ti shtyrë reformat përpara.