03 Maj 2024

GAP: Nga Afganistani në Kosovë hyjnë së paku 50 milion euro

Prishtinë, 22 nëntor - Instituti për Studime të Avancuara GAP ka publikuar analizën e rradhës me titull "Dërgesat nga Afganistani dhe ndikimi i tyre në ekonominë e vendit".

Kosova është një nga vendet e cila përfiton më së shumti për kokë banori nga dërgesat e punëtorëve jashtë vendit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në vit në Kosovë arrijnë mbi 500 milion euro, të cilët dërgohen nga kosovarët jashtë vendit për familjet e tyre në Kosovë.

Deri më tani nuk janë vlerësuar sa duhet dërgesat nga vendet e Lindjes së Mesme – sidomos dërgesat nga Afganistani.

Sipas hulumtimeve të GAP, në bazat ushtarake dhe në sektorë të tjerë në Afganistan, janë të punësuar rreth 2100 kosovar, paga mesatare mujore e të cilëve është rreth 2500 euro.

Për çdo vit nga Afganistani në Kosovë hyjnë së paku 50-55 milion euro. Të gjitha këto mjete hyjnë përmes sistemit bankar, çka e bën më të lehtë përllogaritjen e këtyre dërgesave.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga Instituti GAP gjatë muajve shtator-nëntor 2011, del se rreth 2.100 kosovarë aktualisht punojnë në Afganistan.

Kosovarët në Afganistan kryejnë punët si mekanik, vozitës kamionësh, marangoz, mirëmbajtës të pajisjeve, etj.

Pagat e kësaj kategorie të të punësuarve jashtë vendit derdhen në xhirollogaritë bankare në Kosovë.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga bankat komerciale në Kosovë, del se nga Afganistani kosovarët në total marrin 50-55 milion euro në vit, që do të thotë se të ardhurat nga Afganistani janë të ardhurat më të larta për person, nëse krahasohet me dërgesat nga vendet tjera dhe numrin e shtetasve kosovar të punësuar në vendet tjera.

Nëse i krahasojmë dërgesat nga Afganistani me dërgesat e kosovarëve nga vendet tjera, del se pas Gjermanisë dhe Zvicrës, Afganistani është vendi i tretë prej nga më së shumti vijnë dërgesat në para.

Kushtet e pafavorshme ekonomike kanë bërë që shumë kosovarë të kërkojnë punësim jashtë vendit.

Një në katër shtëpi vlerësohet se ka të paktën një anëtar të familjes i cili ka emigruar.

Sondazhi i Institutit të Hulumtimeve Gallup1, pas anketimeve në 135 vende të botës, e radhit Kosovën ndër vendet me më së shumti dërgesa të pranuara, respektivisht 23% e popullatës pranojnë dërgesa nga jashtë, e cila njëherazi është edhe më e larta në rajon.

Dërgesat nga jashtë përbëjnë të ardhurat kryesore për shumë familje kosovare dhe kanë një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit.
 
Me një papunësi prej 44% dhe një varfëri të skajshme prej 17% dërgesat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i mbijetesës për shumë familje.

Një studim i USAID3 tregon se dërgesat nga jashtë kanë ndikuar pozitivisht në të gjitha rajonet, megjithatë ndikim më të lartë kanë rajonet më pak të zhvilluara, duke zvogëluar kështu pabarazinë në të ardhurat mesatare për kokë banori.

Dërgesat e emigrantëve në Kosovë kanë shënuar rritje ndër vite (përpos në vitin 2009 kur është shënuar rënie e dërgesave si pasojë e krizës financiare globale), duke arritur pothuajse në dyfishin e investimeve të huaja direkte në vend.

Në vitin 2010 dërgesat e emigrantëve të pranuara në Kosovë ishin 511.6 milion euro, përderisa Investimet e Huaja Direkte ishin 311.2 milion euro.

Ekzistojnë rrugë të ndryshme për dërgimin e dërgesave nga emigrantët kosovarë, e ndër më të përhapurat janë ato përmes të afërmve, bankës apo përmes agjencive për transferimin e parave.

Pranimi i parave nëpërmjet kanaleve institucionale, të tilla si bankat apo agjencitë e transferimit të parave, ka shënuar rritje, megjithatë ato vazhdojnë të jenë më të ulëta se dërgimi i parave përmes kanaleve joformale, siç janë të afërmit që është 37% krahasuar me dërgesat përmes bankës me 16%, përmes agjencive të transferimit të parave me 23%, postat zyrtare me 24%, etj.

Kjo vjen si rezultat i tarifave të larta të transferimit të parave përmes bankave, e që janë më të lartat krahasuar me shtetet e rajonit.
 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)