16 Janar 2025

GAP: Komunat e veriut nuk e respektojnë juridiksionin e Kosovës

Prishtinë, 14 janar - Instituti për Studime të Avancuara GAP publikon raportin “Letërnjoftimi për komunën e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit”. Raporti paraqet gjendjen në këto tri komuna duke përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut nga këndvështrimi i qeverisjes lokale.

Fokus gjatë këtij raporti i është kushtuar funksionimit të komunave nga pikëpamja legjislative dhe politike, relacionet mes këtyre komunave dhe institucioneve të Kosovës, buxhetit që dedikon Kosova në këto komuna nga granti për komuna si dhe numrit të punonjëseve që tërheqin paga nga buxheti i Kosovës.

Në territorin e Kosovës zyrtarisht numërohen 37 komuna, pa përfshirë këtu edhe zonën e veriut të Komunës së Mitrovicës, e njohur zyrtarisht si Zyra Administrative e Mitrovicës së Veriut (ZAMV), e cila planifikohet të krijohet si njësi e re komunale, duke e rritur kësisoj numrin e komunave në 38. ZAMV është krijuar me një vendim të Qeverisë së Kosovës, e cila numëron mbi 70 të punësuar dhe struktura e kësaj zyre ngjason me strukturën e komunave tjera në vend.

Në pjesën veriore të Kosovës, duke e përjashtuar Mitrovicën e Veriut, funksionojnë tri komuna, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku. Në këto tri komuna ekziston një numër organesh të ndara mes vete, disa i japin llogari institucioneve të Kosovës e disa të tjera atyre të Serbisë.

Në Zubin Potok dhe Zveçan, kryetarët e komunave ushtrojnë funksione të dyfishta. Paralelisht llogariten kryetarë të komunave të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës dhe të njëjtën kohë llogariten kryetarë të komunave të mbështetur nga Qeveria e Serbisë.

Kryetarët e komunave në Zveçan dhe Zubin Potok marrin buxhet edhe nga Qeveria e Kosovës, por njëherazi buxhet dhe mbështetje politike marrin edhe nga Qeveria e Serbisë, të cilëve edhe u raportojnë.

Organet me të fuqishme të institucioneve të Kosovës në veri janë Zyrat Komunale për Komunitete, të cilat udhëhiqen nga shqiptarët dhe funksionojnë jashtë objekteve komunale dhe përpiqen të qeverisin sipas rregullave të përcaktuara nga ana e nivelit qendror të Kosovës.

Ndonëse këto zyra janë të parapara vetëm për të promovuar të drejtat e komuniteteve jo shumicë, ato ushtrojnë edhe funksione të dhënies së dokumentacionit civil si dhe kryerjen e shërbimeve të tjera komunale.

Zyrat Lokale për Komunitete janë themeluar sipas rregulloreve të UNMIK-ut mbi organizimin dhe funksionimin e qeverisjes lokale në Kosovë, në fillim të vitit 2001 në Leposaviq dhe Zubin Potok dhe në qershor të vitit 2002 në Zveçan.

Zyra Komunale për Komunitete për Komunën e Leposaviqit është në fshatin Bistricë, ajo për Komunën e Zubin Potokut është në fshatin Çabër, kurse ajo për Komunën e Zveçanit është në fshatin Lipë. Në gusht të vitit 2010, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë Rregulloren nr. 02/2010 për Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim.

Këto zyra kanë për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtat të komuniteteve, qasje të barabartë për të gjitha komunitetet në shërbimet publike, si dhe krijimin e kushteve për kthim të qëndrueshëm të të zhvendosurve dhe personave të riatdhesuar. Zyrat Komunale për Komunitete në

Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kryejnë funksione të tjera si lëshimi i të gjitha llojeve të certifikatave civile (lindje, vdekje, shtetësisë), lëshimi i dokumenteve të udhëtimit (pasaporta, letërnjoftime, patentë shofer), ofrimin e shërbimeve të rrjetit dhe mirëmbajtjes elektrike, shërbimet publike (uji, rrugët, pastërtia), investimet kapitale (ndërtimi i rrugëve, shkollave, terreneve sportive, ujësjellësin).

Asnjë nga këto tri komuna nuk e respektojnë juridiksionin e shtetit të Kosovës dhe nuk i përfillin asnjë nga parimet bazë të qeverisjes lokale të vendit. I gjithë dokumentacioni i tyre dhe rregullat e funksionimit të tyre janë të bazuara në ligjet dhe parimet e nxjerra nga Qeveria e Serbisë për qeverisje lokale.

Shmangia e këtyre komunave nga llogaridhënia dhe përgjegjësia në raport me institucionet e Kosovës ka rrjedhur gradualisht. Largimi total ka ngjarë në vitin 2010, dy vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Deri në atë kohë, këto komuna kanë pasur bashkëpunim të pjesshëm me institucionet e Kosovës. Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku deri në këtë periudhë (2010) kanë dërguar nga një raport vjetor në Ministrinë e Financave në lidhje me shpenzimet e buxhetit dhe ecuritë tjera financiare.

Po ashtu në këto tri komuna është bërë për çdo vit (deri më 2010) auditimi nga ana e Zyrës se Auditorit të Përgjithshëm (ZAP). Njëherit, këto komuna kanë pasur një bashkëpunim periodik me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe me institucionet tjera gjegjëse.

Nga ana tjetër, Institucionet e Kosovës i llogarisin këto komuna si pjesë integrale të sistemit politik të vendit dhe si rezultat granti për komuna i Qeverisë së Kosovës ndahet duke i llogaritur edhe komunat e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Këto komuna nuk kanë kundërshtuar asnjëherë marrjen e buxhetit nga institucionet e Kosovës, por kanë kundërshtuar të raportojnë për ecurinë e shpenzimeve të buxhetit dhe krijimin e bashkëpunimit ndër-institucional. Këto komuna kanë kundërshtuar edhe pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, i zhvilluar në prill të vitit 2011.

Pothuajse të gjithë mësimdhënësit serb në komunat e veriut marrin pagë nga Qeveria e Kosovës, por plan programi i mësimit bazohet në rregullat e caktuara nga Qeveria e Serbisë.

Pagën nga Qeveria e Kosovës e merr edhe Kryetari i Komunës së Zveçanit dhe ai i Zubin Potokut dhe një pjesë e madhe e administratës komunale në këto komuna. Në Leposaviq, pagat nga Qeveria e Kosovës i tërheqin vetëm mësimdhënësit serb, por jo edhe Kryetari i Komunës apo administrata komunale.

Elektorati serb në veri të Kosovës, që përbën shumicën e popullatës në atë pjesë, ka bojkotuar zgjedhjet e organizuara nga autoritetet kosovare të mbajtura në nëntor të vitit 2007.

Në dhjetor 2007, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) i OKB-së në Kosovë, Soren Jesen Petersen mori vendimin Nr. 2007/62 për ta vazhduar mandatin e Kuvendeve Komunale në këto tri komuna edhe për 6 muaj, të formuara në zgjedhjet. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)