G20 zbulon planin për rritje ekonomike
Kuinslend, 16 nëntor - Liderët e samitit të G20-ës, grupit të vendeve më të industrializuara, kanë thënë se kanë krijuar një plan për të thelluar rritjen globale në më shumë se 2 trilionë dollarë deri në vitin 2018, duke nxitur tregtinë dhe investimet në infrastrukturë.
Ata janë duke zhvilluar ditën e dytë të samitit në Brizbën të Australisë.
Plani ekonomik është shpallur nga kryeministri i Australisë, Tony Abbott.
Kryeministri australian Tony Abbott u zotua për shtimin e rritjes ekonomike të botës me 2 për qind dhe krijimin e vendeve të reja të punës deri në vitin 2018, ndërkohë kërkoi më shumë reforma strukturore.
"Ne besojmë se si rezultat i punës që do të bëjmë, bota mund të gëzojnë një rritje ekonomike prej mbi 2 për qind gjatë 5 vjetëve të ardhshëm," tha Abbot.
Ai po ashtu thotë se G20-ta dëshiron të shohë edhe 100 milionë gra të punësuara deri në vitin 2025.
G20-ta do që të reduktojë edhe koston e dërgimit të të hollave nga punëtorët migrantë në vendet e tyre.
Remitencat shihen si vendimtare për të mbështetur miliona familje në vendet në zhvillim.
Përveç çështjeve ekonomike, udhëheqësit diskutuan ndihmën për të luftuar ebola-n. Në një deklaratë pas takimit, anëtarët e G20-s zotohen "të bëjnë çdo gjë të nevojshme për të adresuar kostot ekonomike dhe humanitare të shkaktuara nga shpërthimi i virusit ebola."
Kriza në Ukrainë ishte gjithashtu në fokus të takimit. Presidenti i Këshillit të BE-së, Van Rompuy, tha se vendet europiane besojnë se zgjidhja politike është rruga e vetme e zgjidhjes së krizës.