G20 premton rritjen e ekonomisë globale
Canberra, 24 shkurt - Takimi i ministrave të Financave dhe kryetarëve të bankave qendrore të 20 vendeve më të fuqishme të botës përfundoi në Australi me premtimin për objektiva më të mëdha për rritjen e ekonomisë globale.
Vendet e G-20 realizojnë 85 përqind të prodhimit botëror dhe përbëjnë dy të tretat e popullatës botërore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phil Mercer, na informon nga Sidnej.
Australia u bëri thirrje vendeve të G20-ës të vendosin afate më të shpejta rritjeje. Ministri australian i Financave, Joe Hockey, këmbënguli se prodhimin i përgjithdhëm i brendshëm për vendet e G20 bashkërisht, ose vlera e përgjithëshme e mallrave dhe shërbimeve mund të rritet me të paktën dy përqind mbi parashikimet e tanishme gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.
Zoti Hockey ka arritur ti bindë kolegët e G20 të miratojnë objektiva që nuk janë të detyrueshme, por mund të krijojnë dhjetra miliona vende pune në gjithë botën.
Australia ka pranuar treguesit e mirë ekonomik në Shtetet e Bashkura, në Britaninë e Madhe, në Japoni dhe në Kinë, por ka theksuar se ekonomia globale duhet të arritjë një rritje të qendrueshme dhe të balancuar.
Në një komunikatë prej dy faqesh thuhet se vendet do të hartonin politika ambicioze por realiste, që do të çonin në hapjen e vendeve të reja të punës.
Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew, vlerësoi frymën e bashkëpunimit të takimit të nivelit të lartë.
Ky ishte një debat se si mund të punojmë së bashku për të ndjekur praktika më të mira dhe se si të veprojmë që ekonomitë tona të rriten.
Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të ekonomive kryesore të botës, së bashku me drejtuesen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, mbajtën një takim dy ditor me dyer të mbylluara.
Tim Harcourt, ekonomist në Universitetin New South Wales, thotë se fryma e takimit të Sidnejt ka qënë pozitive.
Mendoj se kjo është e rëndësishme për të dhënë informacion konkret, për shkëmbimin e informacionit dhe të konstatimeve. Pashë Christine Lagarde si rrallë herë në Australi, pra ishte shansi për të shkëmbyer përvojë, siç bëjnë ata zakonisht. Por do të ishte e dobishme që kjo të bëhej në Azi dhe në pjesë të tjera të botës që aktualisht po shënojnë rritje.
Një tjetër temë e konferencës ishte ndikimi që ka patur në disa ekonomi në zhvillim, shkurtimi i programit stimulues të Rezervës Federale amerikane për kthimin e kapitalit në Shtetet e Bashkuara që e ka bërë të luhatet vlera e monedhës në vende të tjera.
Ekonomitë me rritje të shpejtë janë luhatur nga kufizimi i kredive të lira dhe të buta që kanë filluar të ngadalësohen pasi autoritetet amerikane kanë pakësuar hedhjen e monedhës në treg.
Vendet e kryesuara nga Indonezia, Afrika e Jugut dhe Brazili i kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara për më shumë informacion mbi reduktimin e stimujve. Australia ka thënë se duhet të ketë një komunikim më të mirë dhe më shumë transparencë për politikat që prekin tregjet botërore.
Zyrtarët e G20-s në Sidnej janë përqendruar gjithashtu në mënyrat për hapjen e tregjeve to punës dhe për të inkurajuar më shumë investime në infrastrukturë.
Masat e diskutuara në konferencën e Sidnejt mund të jenë në krye të rendit të ditës, kur udhëheqësit e G20-s të mbajnë takimin e tyre të nivelit të lartë në Brisbane të Queenslandit më vonë këtë vit.