G20 miraton nismën globale infrastrukturore prej 2 trilionë dollarë
Kuinslend, 17 nëntor - Udhëheqësit e grupit të 20-es, që përfaqësojnë ekonomitë më të mëdha të botës, kanë miratuar një plan për forcimin e rritjes ekonomike globale me mbi 2 trilionë dollarë gjatë pesë vjetëve, duke investuar në infrastrukturë dhe duke zgjeruar tregëtinë e lirë.
Liderët e G20-s ripohuan konsensusin e tyre për të lehtësuar tregtinë duke ulur kostot, duke rishikuar procedurat doganore, duke pakësuar barrën rregullatore dhe duke përmirësuar shërbimet tregtare.
Ata po ashtu miratuan një Plan Veprimi Antikorrupsion të G20-s, që përfshin masa për rritjen e ndihmës së ndërsjellë ligjore dhe moslejimin e vendeve të sigurta për zyrtarët e korruptuar.
Në përfundim të takimit të grupit të njëzetëshes sot në Brisbane, udhëheqësit ndërkombëtarë premtuan gjithashtu për bashkëpunim për masa të rëndësishme kundër ngrohjes globale dhe mbështetje për një përgjigje ndërkombëtare ndaj epidemisë së Ebolës në Afrikën Perëndimore.
Presidenti amerikan Barack Obama tha se politikat e miratuara nga G20-a mund të hapin 100 milion vende të reja pune për gratë gjatë dekadës së ardhshme dhe të forcojnë rregullart për korporatat.