06 Maj 2024

G20 mblidhen sot në Francë, shkak kriza e borxhit në Eurozonë

Paris, 3 nëntor - Liderët e 20 vendeve më të industrializuara dhe në eskpansion (G20) sot nisin konsultimet në qytetin francez të Kanës lidhur me reformat e sektorit financiar global. 

Kryetarët e shteteve të G20-s do të diskutojë një sërë çështjesh, nga ndihma për vendet në zhvillim deri tek taksat. Por kriza greke dhe problemet e borxhit të eurozonës dominojnë takimin e udhëheqësve të ekonomive kryesore të botës.

Presidenti i SHBA-së Barak Obama do të marrë pjesë në takimin ekonomik të nivelit të lartë të G-20-ës në Francë me shpresat për të ndihmuar që Evropa të gjejë një zgjidhe afat gjatë të krizës së borxheve. Presidenti do të përpiqet gjithashtu që t`i bindë këto vende se problemet ekonomike dhe politike të Amerikës mund të kapërcehen.

Kriza e borxheve të Evropës, e cila kohët e fundit çoi në trazira në rrugët e Athinës, do të jetë në krye të rendit të ditës të G20-ës në Kanë të Francës.

Marrëveshja e javës së kaluar e Bashkimit Evropian për të shtuar fondet e paketës së ndihmave emergjente dhe shkurtuar borxhin e Greqisë pritej të zbuste deri diku presionin ndaj udhëheqësve të G20-ës. Por vendimi i djeshëm i udhëheqësve grekë për të mbajtur referendum për këtë paketë hedh dyshime mbi marrëveshjen.

Presidenti Obama e cilësoi marrëveshjen si një hap të parë të rëndësishëm, por tha se mbetet ende shumë për të bërë.

“Aspekti kyç tani është që të sigurohemi se marrëveshja do të zbatohet e plotë dhe me vendosmëri. Unë kam besim të plotë tek udhëheqësit evropian për ta realizuar këtë objektiv” theksoi Obama.

Në takimin e Kanës mund të ngrihen edhe problemet ekonomike dhe politike të Amerikës. Shkalla e lartë e papunësisë ka bllokuar rimëkëmbjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, mosmarrëveshjet politike kanë bërë që vende të tjera të vënë në pikpyetje aftësinë e Uashingtonit për të zgjidhur problemet e veta ekonomike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karni i siguroi partnerët e G20-ës se presidenti po bën përparim në këtë drejtim.

“Ai çon në Francë faktin se kjo administratë po i kërkon Kongresit që të veprojë lidhur me këto probleme. Presidenti shkon në Kanë si udhëheqës i ekonomisë më të madhe të botës dhe si një aleat dhe mik i madh i shumë vendeve të mëdha” ka theksuar Karni.

Një tjetër përparësi e zotit Obama në Kanë është të kërkojë më shumë akses në tregjet e botës për eksportet amerikane.

Këto dhe çështje të tjera do të diskutohen në takimet dy ditore të G20-ës. Presidenti Obama dhe udhëheqësit e tjerë të G-20s mbërrijnë në Kanë nesër në mëngjes dhe largohen të premten vonë.

Udhëheqësit francezë e gjermanë kanë kërkuar që Greqia t`u përmbahet kushteve për paketën e shpëtimit ekonomik dhe thanë se referendumi grek për to duhet të zhvillohet në fillim të dhjetorit.

Pas një takimi me Kryeministrin e Greqisë, Jorgo Papandreu, dy vend më me peshë të Evropën, Franca dhe Gjermania kërkuan që marrëveshja e udhëheqësve evropiane për shpëtimin financiar të Greqisë të respektohet.

Në një konferencë shtypi mbrëmë vonë, Presidenti i Francës Nikolas Sarkozi, i cili është mikpritësi i takimit të grupit të 20 ekonomive më të mëdha të botës, tha se nëse rregullat nuk respektohen, as Bashkimi Evropian dhe as Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk do të investojnë asnjë qindarkë për të shpëtuar Greqinë, e cila është e mbytur në borxhe.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel tha se referendumi grek për kushtet e paketës financiare evropiane duhet të mbahet në fillim të dhjetorit.

Presidenti Sarkozi tha se megjithëse grekët janë të lirë të marrin vendimet e tyre nëpërmjet referendumit, evropianët si grup janë përgjegjës për stabilitetin e eurozonës dhe se solidariteti evropian dhe rregullat e lojës duhen respektuar nga të gjithë anëtarët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)