G20 kërkon më shumë fonde shpetimi nga Eurozona
Meksiko City, 27 shkurt - Vendet e Eurozonës duhet të vendosin më shumë para në fondin e tyre të shpëtimit, përpara se vendet e G20-s të ndërhyjnë për ti ndihmuar, deklaruan Ministrat e Financave të organizmit që grupon 20 shtetet më të zhvilluara të botës.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e vendeve europiane e vlerësuan si thelbësore për të ardhmen e ekonomisë botërore që Fondi Monetar Ndërkombëtar të ndërhyjë për të ndihmuar kontinentin.
Më parë gjatë muajit, liderat e Eurozonës ranë dakord të formonin një fond të përhershëm prej 500 miliardë eurosh.
Megjithatë, ekzistojnë shqetësime se fondi mund të mos jetë i mjaftueshëm për të shpëtuar vendet që mund të mos jenë në gjendje të përballojnë koston e borxhit të tyre.
Një rritje e mëtejshme e shumës së përbashkët për shpëtimin e vendeve që përdorin monedhën e përbashkët euro do të vendoste një presion më të madh mbi ekonomitë kryesore të kontinentit, veçanërisht Gjermaninë.
Deri tani, Berlini zyrtar i ka rezistuar thirrjeve për rritjen e sasisë së fondit të shpëtimit, ndërsa ka dërguar sinjale të paqartë rreth qëllimeve të tij në lidhje me këtë çështje.
Më parë gjatë shkurtit, vlerësimi maksimal i kreditimit për Francën u reduktua, pikërisht për shkak të kredive të këqija të akorduara nga bankat e vendit, veçanërisht për Greqinë dhe sipas ekspertëve, Gjermania nuk është e gatshme të përjetojë të njëjtën situatë.