Futen në likuidim ndërmarrjet Ratar, Rekreaturs dhe Savremeni Dom
Prishtinë, 24 korrik - Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti takimin e rregullt ku diskutoi për një varg çështjesh të përcaktuara në agjendë, në përputhje me mandatin ligjor.
Bordi u informua nga menaxhmenti me aktivitetet dhe zhvillimet e fundit të Agjencisë, ndërkaq u diskutua edhe për Raportin e Auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për AKP-në për vitin 2013, për çka Agjencia ka dhënë komente sqaruese në pjesët e Raportit ku ka pasur mospajtime, ndërsa u vendos që menjëherë të hartohet një plan veprimi për të adresuar të gjeturat e Auditorit.
Bordi gjatë këtij takimi aprovoi buxhetin e AKP-së për vitin 2015 si dhe aprovoi caktimin e depozitave për Shitjet e Aseteve përmes Likuidimit nr.27, ndërsa u diskutua edhe për zhvillimet në ndërmarrjet e privatizuara me spin off special: MIM Golesh dhe AgroKosova Holding. Ndërkaq sa i përket ndërmarrjes Jugoterm, e cila është nën monitorim të Agjencisë, Bordi duke mirëpritur nivelin e tanishëm të investimeve dhe në bazë të kërkesës së blerësit ia zgjati afatin e marrëveshjes së zotimeve deri me 15 gusht 2014.
Bordi aprovoi për përfshirje në procesin e likuidimit edhe të tri ndërmarrjeve shoqërore, NSh Ratar, Rekreaturs dhe NSh Savremeni Dom. Gjithashtu, u aprovuan 60 lëndë të shqyrtuara për shitjen e banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore..
Bordi aprovoi Raportin e Komisionit për Shqyrtimin e Statusit pronësor për dy ndërmarrje, të cilat pas shqyrtimit të gjithë dokumentacionit për to rezultuan se janë në pronësi shoqërore dhe si të tilla bien nën administrim të Agjencisë.