Fushata e naftëtarëve kundër fiskalizimit ka dëmtuar këtë proces
Prishtinë, 25 shtator - Drejtuesit e Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale (SHOLPEF), u kanë bërë të enjten thirrje institucioneve të shtetit që të përshpejtojnë përpjekjet për të përmbyllur procesin me fiskalizimin e gjitha bizneseve aktive në Kosovë.
Në një konferencë të përbashkët shtypi të të katër operatorëve të pajisjeve fiskale është kërkuar edhe nga udhëheqësit e Shoqatës së Naftëtarëve që të ndalojnë manipulimin që po u bëjnë disa naftëtarëve, duke e quajtur procesin e fiskalizimit të tyre si rifiskalizim, duke e konsideruar këtë proces si gjoja monopolistik, dhe duke u thirrur në çmime të larta, pasi që asnjëra prej këtyre nuk qëndrojnë.
Nuk ka monopol kur ka katër kompani, nuk është rifiskalizim, kur fiskalizohen vetëm marketet e pompave të benzinës, kurse nuk fiskalizohen aparatet e karburanteve, është thënë aty. Fushata e egër dhe e padrejtë e kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani kundër fiskalizimit të naftëtarëve, e ka dëmtuar rendë jo veç këtë proces, por edhe ekonominë e vendit.
Përfaqësuesit e Printec, Dukagjini, Gekos dhe R&T kanë treguar se ata operojnë si të pavarur dhe në konkurrencë të shënoshë me njëri-tjetrin, duke hedhur poshtë pretendimet e monopolit.
Si mund të ketë monopol te ne kur, për shembull, kompania ime ka bërë fiskalizimin e disa prej naftëtarëve të mëdhenj, si HIB Petrol etj., kurse kompanitë e tjera disa të tjerë, ka thënë Fisnik Mahmutaj, përfaqësues i kompanisë Printec.
Në konferencë janë adresuar edhe cështjet që kanë të bëjnë me çmimin dhe lincenicimin e operatorëve të rinj.
Është aluduar në çmime të larta, por ne vërtetojmë se çmimet janë të arsyeshme, sepse asnjë operator nuk mund të dalë me çmime pa kaluar në procesin e licencimit dhe certifikimit të pajisjeve. Ne si kompani e licencuar i kemi të gatshme pajisjet për certifikim dhe mund ti konkurrojmë kompanive të tjera me çmime nëse implementohet procesi i fiskalizimit, ka theksuar Bledar Balla, përfaqësues i kompanisë R&T. Mirëpo, kundërshtimet që po i bëjnë disa naftëtarë nuk kanë të bëjnë fare me këto, por kanë vetëm qëllim shmangien e fiskalizimit në tërësi.
Po ashtu, të pranishmit thanë se është kërkuar operator i ri, ndërkohë që ne në vazhdimësi kanë qenë për liberalizim të tregut, mirëpo tashmë shtatë muaj që kur Ministria e Financave iu hapi rrugën e licencimit të operatorëve të rinj, sipas ATK-së ka pasur vetëm një kompani të interesuar për kushtet e licencimit, mirëpo që nuk ka lëvizur në procedura të mëtejme të licencimit.
Dhe, e fundit shantazhet përmes letrave dërguar institucioneve. Kjo është edhe forma e fundit e presionit dhe shantazhit që po përdor ky grup i naftëtarëve kundër operatorëve të licencuar. Iu kujtojmë se shmangja nga fiskalizimi është shkelje e Kodit Penal të Kosovës, u theksua në konferencë.
Kemi një grup të vogël të kompanive të naftës që po e rezistojnë procesin e fiskalizimit duke dalë mbi organet shtetërore dhe duke e ndalur thuajse në tërësi këtë proces, dhe krejt këtë përmes të pavërtetave dhe presioneve. Ky grup nuk e ka mbështetjen e kompanive të mëdha që merren me shitjen e naftës pasi që ato tashmë e kanë pranuar fiskalizimin, theksuan ata.