20 Nëntor 2024

Fuqizohet partneriteti ekonomik me shtetin amerikan të Iowas

Des Moines, 26 qershor - Pas pjesëmarrjes në panairin ndërkombëtar të franshizave të mbajtur në New York nga 20-22 qershor, me ftesë të shoqatës rajonale të biznesit \"Greater Des Moines Partnership\", një delegacion i komunitetit afarist nga Kosova vizitoi shtetin federal amerikan të Iowas, me të cilin Kosova ka marrëveshje të partneritetit shtetëror në disa fusha.

Pjesë e delegacionit kosovar ishin edhe presidenti i Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane Erolld Belegu, anëtari i Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane, Islam Pacolli, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka si dhe kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Kosovës Valdrin Lluka. Vizita ishte pjesë e përpjekjeve për fuqizimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet të dyja shteteve, të cilat tashmë janë iniciuar edhe në të kaluarën me vizita të përfaqësuesve të komunitetit afarist të Iowas në Kosovë.

Në kuadër të vizitës, afaristët kosovarë janë pritur edhe nga kompanitë më të mëdha të shtetit të Iowas, përfshirë këtu edhe korporatën e njohur financiare amerikane \"Principal Financial Group\", uzinën gjigante të mekanizmit bujqësor \"John Deere\", dhe qendrën e inovacionit të qytetit të Des Moines, ndërsa janë organizuar takime edhe me kompani të tjera nga sektorë të ndryshëm të prodhimit të veglave dhe makinerive, dhe përpunimit të ushqimit. Gjatë të gjitha takimeve janë diskutuar edhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet afaristëve të të dyja shteteve.

Drejtuesit e Odës Amerikane falënderuan shoqatën e biznesit të qytetit Des Moines për pritjen e ngrohtë duke u zotuar se bashkëpunimi i nisur vitin e kaluar midis dy organizatave të biznesit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Kosovës (APIK) Valdrin Lluka ftoi kompanitë amerikane nga shteti i Iowas që të investojnë në Kosovë duke pasur parasysh përparimet e bëra në mjedisin e biznesit në vend, por edhe të shfrytëzojnë stimujt e ndryshëm që u ofrohen investitorëve të huaj. Ndërsa, drejtuesit e qendrës së inovacionit të qytetit Des Moines i premtuan z.Lluka ndarjen e përvojës së tyre për zhvillimin e qendrave të ngjashme të reja edhe në Republikën e Kosovës.

Poashtu, Garda Nacionale e Shtetit të Iowas kishte organizuar një pritje mjaft të ngrohtë për afaristët kosovarë, ku nga përfaqësuesit e të dyja shteteve u theksua nevoja e fuqizimit të mëtejmë të raporteve ndërshtetërore, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë.

Një delegacion i lartë i shtetit federal amerikan të Iowas i udhëhequr nga Guvernatori i shtetit, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe ekonomikë do të vizitojnë Kosovën në javën e dytë të muajit korrik, ndërsa gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë ata do të takohen edhe me kompanitë anëtare të Odës Amerikane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)