Fullani: Kriza ekonomike kërkon politika të reja
Tiranë, 20 nëntor - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani të hënën në mbrëmje deklaroi se kriza ekonomike kërkon politika të reja.
Në seminarin e VI për kërkime në fushën e ekonomisë, Fullani vuri në dukje se tashmë sfida më e madhe është krijimi dhe zbatimi i politikave të reja ekonomike.
Ky seminar organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë, për të sjellë së bashku kërkues nga rajoni ynë dhe më tej.
Fullani tha se Seminari i Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore përbën një platformë për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e kërkimeve. Kjo traditë e konsoliduar tashmë është pjesë e kooperimit të gjithanshëm mes bankave qendrore të rajonit.
Banka e Shqipërisë, theksoi Guvernatori, beson fort në bashkëpunimin rajonal dhe për këtë arsye është kthyer në promotore të tij.
Vendet e Evropës Juglindore ngjasojnë në shumë aspekte, përfshirë problematikën ekonomike ashtu dhe kërkimin ekonomik. Aktualisht BSH po punon për identifikimin e problemeve që kanë modelet ekzistuese.
Bankat qendrore janë mjedise të përsosura për gjenerimin dhe zhvillimin e këtyre ideve të reja. Ato sjellin bashkë një komunitet të nderuar analistësh dhe kërkuesish, si dhe një sërë problemesh që presin zgjidhje.
Ky rrjet bashkëpunimi, sipas Fullanit ka mundësinë të ndikojë drejtpërdrejt mbi hartimin dhe zbatimin e politikave.
Kjo karakteristikë e veçantë u jep kërkuesve në bankat qendrore mundësinë të zbatojnë gjetjet dhe të testojnë në praktikë përfundimet përkatëse.
Gjatë vitit të kaluar, BSH u përqendrua te stabiliteti financiar dhe politika monetare, integrimi i tregtisë dhe marrëdhënieve tregtare si dhe modelimi i procesit ekonomik stokastik.
Mbi të gjitha, kriza, ndërlikimet që ajo sjell, kanalet e transmetimit, dhe reagimi i politikës janë bërë qendra e kërkimit empirik dhe teorik në bankat qendrore dhe botën akademike gjatë katër vjetëve të fundit.
Tashmë, kanë kaluar afro pesë vjet që nga fillimi i krizës dhe sa më shumë që autoritetet merren me probleme afatshkurtra të rritjes ekonomike dhe papunësisë, aq më shumë ato nxjerrin në pah mungesë balancash dhe probleme strukturore në shkallë vendi dhe botërore. Ndërkohë, ende nuk jemi në gjendje të përkufizojmë, kuptojmë dhe modelojmë ekonominë në trajtën e saj të vërtetë stokastike, argumentoi Fullani.