FT: Shqipëria është e përgatitur të ndryshojë
Londër, 17 dhjetor - Shqiperia është edhe një herë në fokusin e prestigjozes Financial Time, në një shkrim, përshkruhet rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, dhe se si Shqipëria, një nga vendet më të varfëra në Europë do të punojë për tu bërë pjesë e familjes europiane.
Shqipëria u la mënjanë, ndërkohë që shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kishin nisur rrugën e gjatë të anëtarësimit për në Bashkimin Evropian.
Tashmë, ajo ka mundësinë për ti arritur ato.
Në tetor, Komisioni Evropian i hapi dritën e gjelbër Tiranës për të filluar bisedimet e anëtarësimit, tre vjet pas refuzimit të aplikimit të parë të saj.
Një arritje e vendit u pa në qershor, kur zgjedhjet parlamentare u përcaktuan si të lira dhe të ndershme nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që u pasuan nga një kalim i butë i pushtetit.
Statusi i vendit kandidat do të ishte i favorshëm për kryerjen e reformave dhe një sinjal pozitiv për investitorët e huaj që vendi po lëviz në drejtimin e duhur, thotë Timothy Ash, analist i tregjeve në zhvillim në Standard Bank.
Ka mundësi që bisedimet të zgjasin, pasi asnjë vend kandidat i Ballkanit Perëndimor, që përfshin Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë nuk pret që ti bashkohet unionit deri pas 2020-s, sipas një zyrtari evropian në Tiranë.
Sidoqoftë, bisedimet (për anëtarësimin e vendit) tregojnë se Shqipëria, një nga vendet më të varfëra dhe më të izoluara të Evropës, po i afrohet pjesës tjetër të kontinentit.
Sipas kryeministrit Edi Rama, koalicioni i të cilit, i udhëhequr nga socialistët, fitoi zgjedhjet e qershorit, Shqipëria është e përgatitur të ndryshojë.
Ne kemi nevojë të korrigjojmë një traditë të paparashikueshmërisë fiskale dhe të fokusohemi te korrupsioni, veçanërisht në dogana dhe administrimin e taksave, thotë Rama, i cili ka qenë edhe kryetar Bashkie i Tiranës.
Ne duhet tu bëjmë të qartë investitorëve se këtu nuk ka më shumë rrezik sesa në vendet e tjera, shton ai.
Shqipëria ka burime të pasura minerare, përfshirë fusha naftëmbajtëse si edhe rezervat më të mëdha të kromit në Evropë. Ajo është shndërruar në një vend të prodhimit me kosto të ulët të tekstileve, të veshjeve dhe këpucëve për tregun italian, ndërkohë që ka investime edhe nga kompani greke dhe turke.
Mihal Masuraqis, kryeekonomist i bankës Alpha Bank në Athinë thotë se në vend ka një dinamizëm në ekonomi, pavarësisht krizës. Shqipëria ka ecur më mirë sesa vendet e tjera të Evropës Juglindore
ndoshta pasi ajo është ende në hapat e parë të zhvillimit ekonomik dhe pasi ekonomia informale është ende në shkallë të gjerë.
Por, 20 vitet e një zhvillimi kaotik, pas daljes nga vetizolimi komunist dhe një valë emigrimi nga të rinjtë shqiptarë, kanë frenuar shumë investitorë. Qeveritë e kaluara janë përpjekur për ndërtimin e institucioneve të një shoqërie civile dhe për forcimin e shtetit ligjor.
Shqipëria u rendit e 90-a, nga 189 vende, në raportin e fundit të Bankës Botërore për lehtësinë e krijuar ndaj bizneseve, por u rendit e fundit në çështjen e marrjes së lejeve të ndërtimit dhe e 158-a për garantimin e sigurimit të energjisë elektrike. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto për frymë ishte 4,149 dollarë vitin 2012, një nga më të ulëtit në Evropë.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ofruar një program për frenimin e korrupsionit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, ndërkohë që Ministria e Ekonomisë ka sjellë në Shqipëri Crown Agents, një kompani britanike, për të ristrukturuar shërbimin doganor.
Rritja ekonomike është ngadalësuar këtë vit, edhe pse ajo është ende në shifra pozitive. Një rënie e investimeve të huaja direkte dhe një rënie e ndjeshme e remitancave nga shqiptarët që punojnë në Itali dhe Greqi, të goditura nga recesioni, ka ulur parashikimet për rritjen ekonomike në 1,2 për qind nga 1,6 për qind në 2012, thotë Arben Ahmetaj, ministri i Ekonomisë.
Ne vlerësojmë se do të duhen dy vjet përpara se ne të rikthehemi te rritja mbi katër për qind, shton ai.
Qeveria e re nuk duhet të shohë larg për sfida. Kur mori pushtetin, ajo gjeti një borxh që vlerësohet 400 milionë euro ndaj bizneseve dhe pagesave të prapambetura të TVSH-së, që mund ta çojnë borxhin publik në pothuajse 70 për qind të PBB-së për këtë vit, nga 59 për qind që ishte në vitin 2010.
Rama i ka kërkuar ndihmë FMN-së për konsolidim fiskal dhe reformë strukturore si edhe Bankës Botërore një program fleksibël për rritjen ekonomike që mund të krijojë bazat për një zhvillim të qenësishëm.
Në kemi nevojë të hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit ekonomik rajonal që përfshin sigurimin e energjisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e tregtisë, pa harruar çështjet që lidhen me arsimin dhe mjedisin, thotë Rama.
Kompanitë shqiptare kanë kërkuar të zgjerohen në Kosovë, që ka një treg me madhësi të ngjashme me Shqipërinë dhe popullsi etnike shqiptare.
Një autostradë me vlerë 600 milionë euro, me reliev malor dhe 170 kilometra e gjatë, nga Tirana deri në kufirin me Kosovën, është projekti më i madh infrastrukturor i Shqipërisë deri tani dhe ka shkurtuar kohën e udhëtimit nga Tirana në Prishtinë deri në tri orë.
Dhe Kosova është burimi më i madh i turistëve të huaj që vizitojnë bregdetin spektakolar, por të pazhvilluar të Shqipërisë.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë po hap më shumë mundësi biznesi, thotë Gazmend Haxhia, biznesmen shqiptar dhe themelues i ASG-së, agjenci turistike dhe makinash me qera për turistët në Ballkanin Perëndimor.
Tashmë ne kemi një hapësirë më të madhe për të operuar dhe perspektiva të mira për partneritet, shton ai.
Shqipëria planifikon që të shfrytëzojë afërsinë e saj me Italinë dhe Greqinë për të ofruar koncesione për investitorët e huaj për ndërtimin dhe shfrytëzimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës dhe logjistikës, pjesërisht të financuara nga institucionet multilaterale. Ajo shpreson se kjo do të ndihmojë në integrimin e vendit me partnerët potencialë të Bashkimit Evropian.
Një projekt që po diskutohet është koncesioni për ndërtimin e një porti komercial pranë Lezhës që do të shërbente si Kosovës, që nuk ka dalje në det, dhe Serbisë Jugore. Kjo do të lehtësonte presionin ndaj portit të Durrësit, porti kryesor i vendit, i ndërtuar në breg ranor që ka gjithmonë nevojë për tu thelluar.
Banka Islamike e Zhvillimit dhe Abu Dhabi po financojnë 125 milionë euro për një seksion prej 55 kilometrash autostradë në jug të Shqipërisë që do të shkurtojë me dy orë rrugën nga Tirana në kufi me Greqinë.
Me burime të mëdha hidroelektrike në veriun malor të vendit, ka shumë shpresa që Shqipëria një eksportues i rëndësishëm i energjisë elektrike drejt Ballkanit dhe Evropës Qendrore, sipas ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri.
Statkraft of Norway, prodhuesi më i madh i energjisë në Evropë, po punon për një projekt me vlerë 540 milionë euro për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Luginën e Devollit, pasi bleu 50 për qind të aksioneve nga projekti i grupit austriak EVN Group. Me një kapacitet të kombinuar prej 240 megavatësh, dy hidrocentralet do të rrisin prodhimin energjetik të Shqipërisë me të paktën 20 për qind.
Mosmarrëveshja aktuale e qeverisë me një partner shpërndarjeje tregon problemet me të bërit biznes në Shqipëri.
ERE, rregullatori shtetëror i energjisë, në fillim të këtij viti i hoqi licencën e shpërndarjes kompanisë CEZ Shpërndarje, një filial i një grupi çek energjie, me justifikimin se dështoi në plotësimin e kushteve të kontratës për të eliminuar humbjet në rrjetin e shpërndarjes.
CEZ-i ofroi 76 për qind të aksioneve, pasi nuk ishte në gjendje të grumbullonte rreth 40 milionë euro borxhe që i kishin kompanitë vendase.
Kompania çeke ka deklaruar se do ti drejtohet arbitrazhit.
Por, qeveria kërkon që më mirë të bëjë bisedime të drejtpërdrejta me CEZ-in sesa ti nënshtrohet një procesi të gjatë arbitrazhi që mund të dëmtojë reputacionin e vendit te investitorët e huaj, thotë Gjiknuri.
Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë për këtë problem, thekson ai.
Shqipëria ka mundësi të reduktojë varësinë e saj nga energjia e prodhuar nga hidrocentralet falë pjesëmarrjes në projektin Trans Adriatic Pipeline, TAP, që sjell gazin natyror nga Azerbajxhani në Itali nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë Jugore. Një gazsjellës me gjatësi 200 kilometra dhe me vlerë 450 milionë euro, do të ndërtohet në kufi me Greqinë përgjatë bregdetit deri pranë portit të Vlorës.
Nënkontraktorët lokalë pritet të përfitojnë nga ndërtimi i këtij gazsjellësi duke krijuar rreth 5 000 vende pune.
Një konsorcium nën drejtimin e British Petroleum planifikon të transportojë me anije 10 miliardë metra kub gaz në vit nëpërmjet gazsjellësit duke filluar nga 2019-a dhe duke e rritur në 30 miliardë metra kub për të diversifikuar burimet e Bashkimit Evropian me gaz nga Rusia.
Ne presim të marrim një miliard metra kub gaz në vit për konsumin vendas. Së bashku me burimet hidrike
ky projekt do të largojë paqartësitë për furnizimin me energji, kështu që do të ndihmojë të tërheqë më shumë investitorë, thotë Gjiknuri.
INVESTITORËT GREKË NË KËRKIM TË NJË RIKTHIMI TË SUKSESSHËM NË SHQIPËRI
Për një kompani greke një investim i rrezikshëm përtej kufirit, në Shqipëri, ka dalë një sukses i vërtetë.
Spitali Hygeia, një grup privat i specializuar në shëndetësi, ndërtoi një klinikë prej 60 milionë eurosh në Tiranë që i shërben klasës së mesme të popullsisë, që është në rritje.
Tre vjet më vonë investimi filloi të jetë shumë fitimprurës, madje duke u shndërruar në një model për një pjesë të mirë të spitaleve të reja private në shumë vende të zhvilluara.
Duke qenë se në Shqipëri kishte mangësi të theksuara të një infrastrukture të cilësisë së lartë në fushën e shëndetësisë, njerëzit detyroheshin të udhëtonin jashtë vendit si për shembull në Itali, Austri ose Turqi për tu kuruar, thotë Stavros Krasadhaqis, drejtori ekzekutiv i Hygeia-s për Tiranën.
Ne menduam që të mbulonim këtë treg me një spital të cilësisë së lartë, por për habinë tonë, përveç klientëve shqiptarë filluan të vijnë edhe shumë kliente nga vendet përreth si Kosova dhe Mali i Zi, shton ai.
Spitali Hygeia në Tiranë ka shtuar gjithashtu një klinikë pediatrie, një maternitet, një klinikë për fertilizimin in vitro dhe një pajisje gjermane për sytë, të teknologjisë së lartë, të specializuar në trajtimet me lazer.
Me 90 shtretër dhe një staf mjekësor prej 110 mjekësh, duke përfshirë disa specialistë grekë, spitali ka një certifikatë ndërkombëtare për turizmin mjekësor.
Madje, ne kemi mjekë italianë që vijnë për të operuar disa pacientë bashkatdhetarë, të cilët nuk mund të përballojnë koston shumë të lartë të operacionit në vendin e tyre, thotë Krasadhaqis.
Hygeia gjithashtu kërkon të luajë një rol të rëndësishëm në modernizimin e sektorit publik të mjekësisë në Shqipëri, madje ajo është duke u përkujdesur për një projekt të USAID-it, një shoqatë që ndihmon në zhvillimin e vendit, i cili synon të rrisë nivelin e shëndetësisë në spitalet publike duke përmirësuar kontrollin e infeksioneve.
Ajo do të hapë edhe tre klinika të tjera vitin e ardhshëm në disa qytete të vendit, me një infrastrukturë të specializuar në mjekësinë parandaluese, një fushë që do të marrë edhe më shumë vëmendje me rritjen e të ardhurave, shpjegon drejtori i Hygeia-s.
Ndërsa lëvizja e kryer nga Hygeia ishte një sukses, një investitor tjetër grek në Shqipëri ka pasur më shumë vështirësi.
Për Titan Cement, një lider rajonal i kësaj fushe që është i shtrirë në Greqi, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, lëvizja drejt tregut shqiptar duket si një hap mëse i natyrshëm.
Për të ulur rreziqet, Titan-i ka bashkëpunuar me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim si dhe me Korporatën Financiare Ndërkombëtare, filiali i investimeve i Bankës Botërore dhe këto institucione do të kenë 20 për qind secila të kapitalit të Antea-s, filiali shqiptar i grupit Titan Cement.
Por, puna e impiantit të çimentos prej 200 milionë eurosh i Antea-s përkoi me fillimin e krizës në Evropë duke u kënaqur me një treg që mbulohej kryesisht nga të ardhurat e emigrantëve duke bërë që konsumi shqiptar i çimentos të binte në 1,5 milion tonë në vit, shifër kjo e barabartë me kapacitetin prodhues vjetor të Antea-s.
Konkurenca e çimentos italiane me çmim të ulët shtoi vështirësitë e ndërmarrjes, thotë Mike Sigalas, drejtori rajonal për Evropën Juglindore i Titan-it.
Çmimet u rritën ndjeshëm kur qeveria shqiptare vendosi një taksë prej 35 eurosh për ton për importin e qymyrit dhe naftës që përdoren si karburant për furrat e Antea-s, kompania përfiton gjithashtu 30 milionë euro në TVSH që i shpërndahet investitorëve të huaj.
Të dhënat tregojnë se Antea do të përqëndrohet më shumë në eksport, ndërsa pret që tregu vendas të marrë veten.
Shqipëria ka shumë nevojë për ndërtimin e infrastrukturës dhe ne kemi shpresa të mëdha në këtë treg, thotë Sigalas.