Francezët të interesuar për bashkëpunim ekonomik me Kosovën
Prishtinë, 8 mars - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot në takim këshilltarin për Tregti të Jashtme nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Francës, Julien Roche i cili shoqërohej nga Maryse Daviet Ambasadore e Francës në Prishtinë.
Ministri Beqaj ka njoftuar bashkëbiseduesit me kornizën institucionale dhe ligjore që ofron Kosova në fushat që mbulohen nga MZHE dhe reformat strukturale në ekonomi që janë duke u zhvilluar me qëllim të fuqizimit të sektorit privat.
Beqaj ka rithkesuar interesin e Qeverisë për të thelluar bashkëpunimin bilateral ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian, ku bën pjesë edhe Franca, duke shtuar se rolin kryesor në këtë bashkëpunim duhet ta kenë investitorët privat.
Kreu i MZHE-së ka nënvizuar se Kosova ofron një kornizë ligjore të favorshme për investime të huaja dhe mirëpret bashkëpunimin me investitorët francezë duke siguruar ata se do të kenë trajtim të barabartë me investitorët vendorë.
Nga ana e tij, Julien Roche këshilltar për Tregti të Jashtme nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Francës shprehu interesimin e kompanive franceze për bashkëpunim me ato kosovare, duke theksuar se ky takim do të shërbej si nismë për konkretizimin e tyre.