Francëzet në protesta për punë
Paris, 25 mars - Qindra e mijëra njerëz morën pjesë në protestën e fundit në Paris kundër draftit, i cili pritet që të legalizojë martesat mes individëve të të njëjtit seks në Francë.
Policia u desh të ndërhynte dhunshëm ndaj protestuesve në sheshin Champs-Elysees, ku shkopinj dhe gaz lotsjellës u përdorën për të shpërndarë turmën.
Ministri i Brendshëm, Manuel Valls, ka konfirmuar se janë bërë me qindra arrestime. Senati francez po përgatitet që të diskutojë muajin e ardhshëm draftin për martesat gay, pasi Dhoma e Ulët e Parlamentit e ka kaluar tashmë.
Të dyja dhomat e senatit francez dominohen nga partia dhe aleatët e presidentit Francois Hollande. Sondazhet tregojnë se mbështetja e francezëve ndaj martesave gay po vjen gjithnjë e në rënie.
Protestuesit, nga ana tjetër, mbanin pankarta në duar që shkruanin: Ne duam punë, jo martesa gay. Policia e ka bllokuar sheshin Champs Elysees, por një grup protestuesish arritën që të depërtonin drejt saj, duke iu afruar pallatit presidencial.
Gjithsesi, forcat e policisë arritën ta shpërndanin turmën, duke përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve.