Francezet e interesuar të investojnë në trajtimin e ujërave të zeza
Prishtinë, 22 maj - Ambasadorja Franceze në Prishtinë, Maryse Daviet, takoi Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ku tregoi rreth gatishmërisë së Ministrisë Franceze të Ekonomisë dhe Financave për mbështetjen e projekteve mjedisore në Kosovë.
sipas ambasadores Daviet, Qeveria Franceze është e interesuar që të financojë në tërësi një projekt për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Prishtinës, ku do të përfshihet studimi i fizibilitetit i gjendjes së ujërave të zeza e gjithashtu edhe planet e ndërtimit të impianteve dhe operimit të tyre.
Sipas saj, me këtë projekt do të forcohet partneriteti ndërmjet Qeverisë Franceze dhe asaj të Kosovës.
Duke përmendur angazhimin e Qeverisë Franceze në nivel botëror për promovimin e teknologjive të gjelbërta, Ministri Gashi u shpreh i gatshëm të ndihmojë në planet e Qeverisë Franceze me njohuritë teknike nga Ministria e Mjedisit për implementimin e këti projekti në Prishtinë.
Ministri Gashi dhe Ambasadorja Daviet u morën vesh që gjatë javës së ardhshme të fillojnë procedurat e aplikimit për grante në Ministrinë Franceze të Ekonomisë dhe Financave.