Francezët e gjermanët interesohen të investojn në fushën e mjedisit
Mitrovicë, 13 mars - Miku i madh francez dhe ish-deputeti i Parlamentit Francez për 12 vite, Christian Menard, i cili ka ndihmuar në konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, i shoqëruar nga presidenti i kompanisë së njohur gjermane HPC-Envirotecnë fushën ambientale, Frank Karg, kanë vizituar Mitrovicën për tu njohur me gjendjen reale të mjedisit.
Ata shprehën interesimin për të ndihmuar në këtë aspekt, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë që ekziston në qytetin e minatorëve.
Mysafirët pas takimeve në kompleksin Trepça, ku drejtori i Departamentit të Zhvillimit dhe Mbrojtjes së Ambientit, Ali Ahmeti, i ka informuar për projektet që janë ndërmarrë për sanimin e problemeve që kanë të bëjnë me mjedisin, kanë qëndruar edhe në Komunën e Mitrovicës, ku janë takuar me nënkryetarin, Riza Haziri. Ai i njoftoi të pranishmit për gjendjen politike dhe ekonomike në Mitrovicë.
Haziri tha se rrethanat politike pasluftës kanë bërë që problemet e qytetarëve të jenë të shumta, meqë në veri mungon siguria e lëvizjes dhe shfrytëzimit të pronës private. Si pasojë e gjendjes politike edhe gjendja ekonomike është e rëndë, meqë papunësia është e madhe.
Në anën tjetër, ai ka theksuar se si rezultat i angazhimit të madh të komunës viteve të fundit janë bërë investime të mëdha, sidomos në fushën e infrastrukturës. Ai përmendi edhe projektet kapitale që janë duke u realizuar në Mitrovicë me mbështetje të Komisionit Evropian etj. Jemi përzgjedhur si komuna më bashkëpunuese sa i përket donatorëve të jashtëm.
Nënkryetari Haziri, foli edhe për fushën e ambientit, ku si pasojë e industrisë së zhvilluar që ka qenë para lufte është trashëguar një gjendje e rëndë. Sanimi i gjendjes kërkon mjete të mëdha, të cilat komuna nuk mund ti siguroj andaj nevojitet mbështetje nga donatorët.
Pasi ka dëgjuar këto, ish-deputeti francez, Christian Menard, i cili është edhe anëtar i Grupit të Miqësisë Kosovaro-Franceze, ka potencuar se sanimi i gjendjes së keqe në mjedis është parakusht për të hapur rrugë për investitorë. Investitorët e huaj nuk vijnë në një vend ku ka telashe kaq të mëdha në fushën e ambientit.
Në anën tjetër ai dhe presidenti i kompanisë së njohur gjermane HPC-Envirotec Frank Karg, shprehën nevojën për kooperim me komunën në mënyrë që ata të mund të investojnë për të sanuar problemet në mjedis. Ata premtuan se nëse gjejnë mundësi bashkëpunimi, fillimisht do nisin studimin e mirëfilltë të gjendjes reale.
Lidhur me këtë, nënkryetari Haziri, u zotua së në kuadër të mundësive që ka komuna do të bëhet krejt çka është e mundur që të krijohen lehtësira për investimet në fushën e mjedisit.