Franca miraton taksën ndaj të pasurve
Paris, 30 dhjetor - Gjykata e Kushtetuese e Francës e quajti kushtetuese taksën ndaj të pasurve, e cila takson 75% të të ardhurave vjetore të personave që fitojnë më shumë se 1 milionë euro.
Taksa e re do të prekë afro 1000 administratorë të lartë dhe punonjës të 470 ndërmarrjeve në mbarë vendin, duke i siguruar qeverisë të ardhura vjetore në vlerën 210 milionë euro. Ky është një lajm i mirë për qeverinë, përsa i përket pakësimit të deficitit dhe shtimit të të ardhurave.
Propozimi për taksën u hodh poshtë para një viti nga Gjykata Lartë.
Vjelja e taksave ishte një ndër premtimet e presidentit François Hollande gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2012.
Para miratimit të taksës shumë francezë me të ardhura të larta u larguan nga vendi, ndërsa klubet e futbollit e kanë kundërshtuar ashpër atë. Kryetari i klubit të futbollit profesionist të Francës Jean Pierre Louvel u tha gazetarëve se vjelja konkrete e taksave për klubet e futbollit është ende në diskutim, por nuk përjashtohet anullimi i ndeshjeve, si pasojë e taksës.
Kjo taksë do të mblidhet për dy vjet dhe prek të ardhurat e siguruara këtë vit si dhe gjatë vitit 2014.