Franca kritikon agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit
Paris, 9 nëntor - Zyrtarët francezë e pritën me keqardhje vendimin e një agjencie ndërkombëtare për të ulur një shkallë nivelin e kreditit të vendit.
Sipas agjencisë Standard and Poor's, papunësia në Francë, ka të ngjarë të qëndrojë në nivele të larta deri në vitin 2016, duke e bërë çdo reformë politikisht të vështirë.
Ministri francez i financave, Pierre Moskovici, shprehu keqardhje ndaj vendimit të firmës Standard and Poor's për të ulur treguesin kryesor të kreditit të Francës.
Ai theksoi megjithatë se krediti i vendit të tij mbetet ndër më të lartët në Bashkimin Evropian dhe në botë.
"Stabiliteti i Francës, forca e saj, është e njohur. Ky është një vend të cilit mund t'i besohet. Në të njëjtën kohë më vjen keq për disa gjykime të caktuara që mendoj se janë kritika të pasakta dhe të padrejta," tha ministri francez i financave për radion France Info.
Firma Standard and Poor's uli një shkallë nivelin e kreditit për Francën, nga AA + në AA mes shqetësimeve se vendi do ta ketë të vështirë të stabilizojë financat publike dhe të ndërmarrë reformat e nevojshme për ta bërë ekonominë e vet më konkurruese.
Standard and Poor's tha gjithashtu se papunësia, e cila tani është rreth 10 për qind, ka të ngjarë të qëndrojë në nivele të larta deri në vitin 2016, duke e bërë çdo reformë politikisht të vështirë.
Agjencia tha gjithashtu se veç kësaj, Franca ka shumë pak hapësirë për të rritur taksat në mënyrë që të mbyllë mungesat në buxhet.
Tregjet reaguan shumë pak lidhur me njoftimin.
Agjentja e bursës, Nathalie Marin- Pelras tha se njoftimi i habiti të gjithë, por disa zhvillime të tjera ndikuan mbi tregjet e aksioneve.
"Dje ishte njoftimi për uljen e normave të interesit në Evropë dhe ai për një GDP më të lartë se sa pritej në Shtetet e Bashkuara," tha zonja Marin-Pelras.
Standard and Poor's është e para agjenci që i hoqi Francës nivelin AAA të kreditit. Dy agjencitë e tjera të mëdha, Moody dhe Fitch, bënë të njëjtën gjë.
Qeveria socialiste e kryeministrit François Hollande erdhi në fuqi në maj 2012 me premtimet për të frenuar rënien ekonomike të Francës. Që nga ajo kohë, papunësia është rritur dhe niveli i miratimit të publikut për zotin Hollande ka rënë në pikën më të ulët krahasuar me gjithë udhëheqësit francezë të kohëve moderne.
Edhe pse disa reforma kanë filluar, duke përfshirë një marrëveshje të rëndësishme me sindikatat dhe disa rregullime ne sistemin e pensioneve, shumë ekonomistë thonë se ndryshimet janë mjaft të ngadalta për të çuar në përmirësimin e gjendjes.