Franca dëshiron që Greqia duhet të mbetet në Eurozonë
Paris, 7 korrik - Franca do të bëjë gjithçka të mundur për të mbajtur Greqinë në Eurozonë, sepse largimi do të jetë shumë i rrezikshëm, ka thënë kryeministri francez, Manuel Valls.
Baza për marrëveshje ekziston, ka thënë ai në prag të samitit të Eurozonës.
Gjermania, megjithatë, ka paralajmëruar kundër shlyerjes së pakushtëzuar të borxheve greke.
Ministrat e Eurozonës i kanë kërkuar Greqisë që të dalë me propozime të reja, pasi votuesit grekë kanë refuzuar kushtet e kreditorëve ndërkombëtarë për ndihmë, në referendumin e së dielës.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka takuar liderët e partive politike në Greqi të hënën, ndërsa sot ka udhëtuar drejt Brukselit, ku pritet të paraqesë propozimet e reja.
Thuhet se plani i tij përfshin kërkesën që borxhi grek prej 323 miliardë eurosh, të shkurtohet për 30 përqind.