Forumi Ekonomik Kosovë-Slloveni propozon zonë ekonomike sllovene
Prishtinë, 13 mars - Në praninë e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, dhe homologut të tij slloven, Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Karl Erjavec, është nënshkruar sot në Prishtinë, Protokolli i sesionit të parë në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë-Slloveni.
Me anë të këtij protokolli synohet të rritet bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy shteteve. Nënshkrimi i këtij protokolli është bërë nga përfaqësuesi i palës kosovare, Guner Ureya dhe përfaqësuesja e palës sllovene, ambasadorja, Alenka Suhadolnik.
Gjatë prezantimit të tij në këtë ngjarje, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka theksuar se “politika ka kuptim vetëm nëse ka mbështetje nga ekonomia e shëndoshë”.
Ai, tutje ka vlerësuar lartë bashkëpunimin tregtarë të tashëm ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës, ndërkohë ka bërë thirrje që të ketë ngritje të mëtejme të shkëmbimeve tregtare.
“Unë do të doja, që të kemi bashkëpunim edhe më të madh ekonomik me Slloveninë. Pse mos të kemi një Zonë Ekonomike vetëm sllovene”, ka thënë Ministri Jashtëm Pacolli, duke inkurajuar bizneset sllovene të konsiderojnë tregun e Kosovës.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec, ka thënë se diplomacia ekonomike është një faktor shumë i rëndësishëm i politikës së jashtme.
Sipas tij, Kosova për Slloveninë është partner shumë i rëndësishëm ekonomik. “Sllovenia mbetet një mbështetës i madh i Kosovës në rrugën evropiane. Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy shteteve është shumë i rëndësishëm”, ka thënë kryediplomati slloven.
Para nënshkrimit të këtij protokolli, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, dhe ai i Odës sllovene, Ante Millovoj kanë folur për bashkëpunimin e deritashëm ekonomik dhe synimet e bizneseve të të dyja vendeve për të ardhmen.