Forum International ndihmon veteranët e luftës së UÇK-së
Mitrovicë, 7 dhjetor - Kompania Forum International L.L.C nga Prishtina ka ndihmuar Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë me 2 mijë euro.
Këto mjete u dhuruan në një takim të përbashkët të drejtorit ekzekutiv të kësaj kompanie, Gjergji Ndiro me kryetarin e komunës, Avni Kastratin dhe anëtarin e kryesisë së Shoqatës së Veteranëve, Nexhat Dedia.
Drejtori i kompanisë Forum International L.L.C, tha se është një nder për ta që të ndihmojnë këtë pjesë të shoqërisë që ka dhënë shumë për lirinë e vendit. Është privilegj që të ndihmosh veteranët e luftës, të cilët kanë mundësuar frymim të lirshëm në këtë vend.
Ndërsa kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar drejtorin Ndiro për mbështetjen për këtë kategori të shoqërisë në Mitrovicë. Mbështetja nga bizneset nuk ka munguar asnjëherë dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë.
Ai theksoi se gjendja e veteranëve të luftës në përgjithësi ka qenë e rëndë, prandaj edhe në kuadër të mundësive që ka pasur komuna ju ka dalur dhe është duke ju dalur në ndihmë. Ne nuk kemi kursyer dhe nuk do të kursejmë asgjë për këtë pjesë të respektuar të shoqërisë sonë.
Për ndihmën falënderoi edhe anëtari i kryesisë së Shoqatës së Veteranëve, Nexhat Dedia. Ai çmoi këtë mbështetje, duke thënë se kjo është edhe një motivim moral për këtë kategori shoqërore.
Ndërsa sa i përket kushteve të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, Dedia, tha se me mbështetjen e institucioneve gjendja është duke u përmirësuar. Kemi pritur shumë vite dhe me mbështetjen e kryetarit të komunës, vitin e kaluar kemi kaluar në një zyrë shumë komode për punë.
Tha se deri vonë kanë vepruar në një objekt që ngjan me një rrënoj. Ai gjithashtu potencoi edhe problemet për strehim, mandej gjendjen ekonomike etj. Por tha se kohëve të fundit gjërat janë duke u përmirësuar në të gjitha aspektet.