Formohet këshilli shtetëror për pronësinë intelektuale
Prishtinë, 3 nëntor - Me bashërendimin e Zyrës për pronësi industriale, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe industrisë (MTI), u formua Këshilli Shtetëror për Pronësinë Intelektuale, i cili ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të institucioneve të përfshira në zbatimin e të drejtave të pronës intelektuale në Kosovë.
Këshilli do të ketë kompetenca të natyrës këshillëdhënëse dhe rekomanduese, si dhe të ofrimit të ndihmës për institucionet qeveritare dhe akterët e tjerë të përfshirë në zbatimin e të drejtave të pronës intelektuale.
Në kuadër të këtij këshilli janë të përfshirë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si të: Zyrës së Pronës Industriale të Kosovës; Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Afërta; Doganave të Kosovës; Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës; Inspektoratit të Tregut; Këshillit Gjyqësor; Këshilli të Prokurorisë; Agjencisë për Barna dhe Produkte Mjekësore; Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit e Kosovës; Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar; si dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Këshilli në takimin e sotëm miratoi statutin e veprimit, si dhe zgjodhi kryesuesin e Këshillit, Isa Dukajn, drejtor i Zyrës për pronësi industriale në MTI.