Formohet Bordi i Fondit Shqiptar për Zhvillim
Gjakovë, 4 shkurt - Me qëllim të intensifikimit dhe konkretizimit të iniciativës së bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë-Shqipëri, sot në zyrat e Fondit Zhvillimor Shqiptar në Gjakovë është formuar Bordi i Përbashkët i Zhvillimit Rajonal të Zonës Ndërkufitare Kosovë-Shqipëri, të cilën e kanë nënshkruar kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, dhe Benet Beci, drejtor i Fondit Shqiptar për Zhvillim.
Anëtarë të këtij bordi janë Mimoza Kusari Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës, Qemajl Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, Benet Beci, drejtor i Fondit Shqiptar për Zhvillim, Besnik Dushaj, kryetar i Bashkisë së Tropojës, Andi Lala, kryetar i Bashkisë së Hasit, si dhe përfaqësues tjerë Greta Gjoncaj, Ardi Ponosheci dhe Blendi Bushati.
Kryetarja Mimoza Kusari Lila, me këtë rast është shprehur se kjo është në suaza të përpjekjeve të vazhdueshme për themelimin e këtij mekanizmi për bashkëpunim ndërkufitar, ku do të prezantohen projekt-ide të zonave kufitare të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Të njëjtin besim e ka shfaqur edhe kryetari i Tropojës, Besnik Dushaj, ndërkaq ambasadori Qemajl Minxhozi është shprehur se kjo është një rrugë e gjatë në një kohë të shkurtër dhe se ky organizëm formohet në dy zona më të varfëra të të dy anëve të kufirit, e cila do të jetë ndërmjetësues kryesor për projekte zhvillimore ndërkufitare.
Themelimin e bordit e ka përshëndetur edhe Ambasadori Norvegjez në Shqipëri dhe në Kosovë, Ian Braathu, i cili pas përgëzimeve për këtë nismë, ka uruar suksese në realizimin e projekteve të tyre.
Ndaj ambasadorit norvegjez, z. Braathu, janë shprehur falënderimet nga të gjithë pjesëmarrësit për mbështetje konkrete të ambasadës norvegjeze, duke uruar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në këtë takim janë prezantuar edhe projektet të cilat janë përkrahur nga të dy nivelet e qeverive qendrore, që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, sic janë rrugët:
· Dol Kusar- Goden Dobrunë - Golaj(17.3km)
· Pac- Qafë Gjonaj - Babaj Bokës(17.5 km)
· Batushe - Koshare Padesh-Buçaj (15.5km)
Po ashtu, janë prezantuar edhe projektet tjera zhvillimore, turistike si ndërtimi i objektit shtëpi e malësorëve, ndërlidhja e shtigjeve për ecje Gjakovë Tropojë dhe Qendrat grumbulluese dhe përpunuese.
Zyra e Fondit Zhvillimor Shqiptar së shpejti do ta ketë edhe koordinatorin e përhershëm, i cili do të jetë në funksion të plotë të zyrës.