18 Nëntor 2024

Fondi Zhvillimor ndikon në uljen e kamatave bankare

Prishtinë, 12 mars - Krijimi i Fondit Zhvillimor të paralajmëruar nga kryeministri, Hashim Thaçi përveç që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, do të ketë ndikim edhe në uljen e kamatave bankare. Kështu thonë ekspertët, të cilët në prononcimet e tyre për Radio Kosovën, e mirëpresin krijimin e këtij fondi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar krijimin e një Fondi Zhvillimor, për të cilën ide përveç ekspertëve ka përfshirë edhe ish-presidentin amerikan Bill Klinton. Ideja mirëpritet nga analisti i çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepi, sipas të cilit krijimi i këtij Fondi është ide e mirë por  detyrë e ngutshme.

“Idea është shumë e mirë dhe kisha thënë që qeveria duhet ta themelojë Fondin, qeveria duhet të sigurojë një sasi të parasë që duhet të ketë ky fond, duhet të qëndrojë prapa me garancinë, me të gjitha format e tjera që garanton një stabilitet në funksionimin e tij”.
 
Rexhepi thotë se në Fondin Zhvillimor mund të kontribuojnë edhe donatorët e tjerë, subjektet e ndryshme, qoftë të brendshme apo të jashtme. Pra, nuk duhet të jetë i mbyllur krejt si Fond i qeverisë.  “Meqenëse po të bazohet në vetëm paratë publike... të Trustit apo të Privatizimit, kjo krijon obligime qeverisë dhe në të njëjtën kohë rritë borxhin publik... ndërkaq në huazimet e tjera kjo qasje do të kalkulohet pak më ndryshe dhe nuk do të jetë një ngarkesë për buxhetin e shtetit”.
 
Këshilltari në Odën Ekonomike Berat Rukiqi, po ashtu e mirëpret iniciativën për krijimin e Fondit Zhvillimor. “Çdo fond që i financon bizneset apo projektet e tyre ndikon edhe në rritje të punësimit edhe në potencial të rritjes së eksportit. P.sh. në shumë vende këto fonde kushtëzohen në ato projekte që krijojnë punësim apo që kanë orientim eksportin”.
 
Ashtu si Ibrahim Rexhepi edhe Berat Rukiqi konsideron se Fondi do të ndikojë në uljen e kamatave bankare. “Absolutisht konkurrenca në financime të bizneseve mund të ndikojë direkt në ulje të kamatave”.
 
Ekspertët thonë se mjetet nga Fondi, duhet të jepen për projekte që kanë rentabilitet të lartë dhe rrezikshmëri të ultë. Ndryshe, nga burime brenda qeverisë mësohet se nuk është përcaktuar shuma e këtij Fondi, që do të thotë se nuk do të bëhet tërheqja e menjëhershme apo komplete e mjeteve që qëndrojnë jashtë Kosovës, qoftë të privatizimit, qoftë të kursimeve pensionale.

/Radio Kosova/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)