Fondi për sigurimin e depozitave, ka vlerë 25 milionë eurove
Prishtinë, 14 shtator - Fondi për sigurimin e depozitave, i themeluar para katër vjetësh, ka arritur vlerën e 25 milionë eurove dhe mbulon depozitat në shumën rreth 470 milionë euro.
Limiti i sigurimit është deri në 3 mijë euro, kurse nga një janari i vitit të ardhshëm limiti do të rritet deri në 4 mijë euro. Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën, drejtoresha menaxhuese e këtij fondi, Violeta Arifi-Krasniqi.
Ndonëse shuma e përgjithshme e parave të depozituara në sistemin bankar të Kosovës ka arritur në 2 miliardë e 500 milionë euro, vetëm rreth 1 e pesta e kësaj shume është e siguruar nga Fondi për sigurimin e depozitave.
Ky fond që funksionon tash e katër vjet, siguron depozita në vlerë rreth 468 milionë euro, thotë drejtoresha menaxhuese, Violeta Arifi-Krasniqi.
Numri i i depozituesve të siguruar është rreth 721 mijë, prej tyre persona fizikë janë shumica e tyre, apo 94.7 për qind, thotë ajo.
Aktualisht limiti i sigurimit të depozitave është në vlerë prej 3 mijë eurove, por kjo shumë do të rritet nga një janari i vitit të ardhshëm në 4 mijë euro, kurse nga janari i vitit 2018 në 5 mijë euro, thotë Arifi-Krasniqi.
Shuma e limitit të sigurimit duket e ultë, mirëpo qëllimi është mbrojtja e depozitorëve të vegjël, se 85 për qind e depozitorëve në Kosovë kanë deri në 3 mijë euro, theksoi ajo.
Drejtoresha e këtij fondi thotë se në rast të marrjes së licencës së ndonjë banke komerciale, fondi do të rimbursojë klientët brenda periudhës 30 ditore. Por fatmirësisht deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur.
Ndryshe deri në fund të vitit pritet të themelohet edhe fondi për sigurimin e kredive, i cili në vitin e parë do ti ketë 18 milionë euro, kurse në periudhën gjashtëvjeçare deri në 360 milionë euro, e që pritet të lehtësojë qasjen e afaristëve në financa.
/RTK/