Fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi do t’i ketë mbi 9 milionë euro
Prishtinë, 15 janar - Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, në një konferencë për media ka shpalosur prioritetet e ministrisë për vitin 2018.
Ministri Beqaj ka theksuar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, është themeluar me qëllim të riorientimit të ekonomisë drejt ekonomisë digjitale, zhvillimit të ndërmarrësisë dhe iniciativës private dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.
“Vizioni ynë është që Kosova të jetë qendër rajonale e ekonomisë digjitale”, tha Beqaj.
Në lidhje me prioritetet për vitin 2018, ministri Beqaj ka theksuar se ato janë: promovimi i novacionit, krijimi i mekanizmave institucionalë, zhvillimi i ndërmarrësisë, konsolidimi i fondit dhe mbështetja e zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Sa i përket buxhetit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për vitin 2018, ministri Beqaj ka thënë se fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi do t’i ketë mbi 9 milionë euro, nga të cilat 7.1 milionë euro do të ndahen si subvencione dhe transfere, 2 milionë euro do të jenë investime kapitale.
Ministri Beqaj, po ashtu ka thënë se me inovacion bëhet stimulimi i aktiviteteve inovative në Kosovë me qëllim rritjen e produktivitetit ekonomik dhe institucional përmes zhvillimit të teknologjisë dhe ndërmarrësisë efektive.
Ai po ashtu ka paralajmëruar themelimin e katër qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë, me prioritet në qendrat si Prishtina dhe Ferizaj.
Gjithashtu ministri Beqaj, gjatë kësaj konference ka përmendur edhe aktivitetet e kryera nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, që nga themelimi, me theks të veçantë në punën që është bërë në konsolidimin e ministrisë, si dhe themelimin e Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Në këtë konferencë për media, ministri Beqaj ka kërkuar edhe bashkëpunimin e mediave në avancimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë.