Fondi për inovacion dhe ndërmarrësi do të ndahet për gratë në biznes
Prishtinë, 30 nëntor - Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit të lansimit të punimit “Gratë për zhvillim: Aktivizimi i grave në tregun e punës”, organizuar nga Instituti “Demokraci për Zhvillim (D4D)”.
Në fjalën e tij, ministri Beqaj, e ka theksuar si shumë të rëndësishëm faktin se Kosova ka nevojë për kuadro profesionale, kompetente për tregun e punës, pasi përgatitja profesional mundëson rritjen e fuqisë konkurrente në tregun e punës.
“Fondi për inovacion dhe ndërmarrësi do të jetë për gratë në biznes dhe për të rinjtë, për gjeneratat e reja, për ata të cilët janë inovativ. Ky fond do të përkrahë të gjitha idetë inovative”, tha ministri Beqaj.
Ai po ashtu ka folur edhe në lidhje me përdorimin e shtuar të teknologjisë, duke thënë se përdorimi i teknologjisë nga të rinjtë nuk është duke u bërë për efekte ekonomike, por për efekte sociale, duke insistuar se përdorimi i teknologjisë në mënyrën e duhur mund të ketë efekte ekonomike për Kosovën.
Ministri Beqaj e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm edhe bashkëpunimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë me institucionet e arsimit, në veçanti me Universitetin e Prishtinës, në shërbim të nxitjes së edukimit profesional dhe krijimin e kuadrove kompetente.