Fondi për Garanci Kreditore shtyllë e zhvillimit ekonomik
Prishtinë, 26 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ambasadorja gjermane Angelika Viets, drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, drejtori i BQK-së, Bedri Hazma dhe kryetari i Bordit të Fondit, Hajdar Korbi.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve tha se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe se ka për synim që të ndihmojë rritjen e qasjes në financa për ndërmarrjet me qëllim të krijimi të vendeve të punës, të rritjes së prodhimit vendor dhe të shërbimeve, përmirësimit të bilancit tregtar.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se ky fond do të jetë shtyllë e Fondit për Investime dhe Zhvillim që është paraparë me programin qeverisës.
Në fillim të këtij mandati, të gjithë ne jemi përkushtuar me prioritet për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo ngjarje sot na konfirmon se jemi duke i realizuar zotimet tona për të krijuar mekanizma për investime dhe për punësim. Jam i bindur se Fondin Kosovar për Garanci Kreditore po e themelojmë në një periudhë kur i kemi konsoliduar politikat tona fiskale, kur kemi një sektor stabil bankar, kur ecuritë makro ekonomike janë pozitive dhe më të mira në regjion, në qoftë se i matim me rritjen vjetore të GDP-së dhe kur fryma ndërmarrëse, sidomos e të rinjve është në një trend të ngritjes, tha kryeministri Mustafa.
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa
Jam i lumtur sot që po inaugurojmë Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe me këtë po shënojmë një ngjarje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është krijuar me ligj për të ndihmuar rritjen e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla, për ato të mesme, për mikrondërmarrjet, me qëllim të krijimit të vendeve të punës, me qëllim të rritjes së prodhimit vendor dhe të shërbimeve, përmirësimit të bilancit tregtar dhe për të zgjeruar mundësitë e financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ky fond do të jetë shtyllë e Fondit për Investime dhe Zhvillim që kemi paraparë me programin qeverisës.
Në fillim të këtij mandati, të gjithë ne jemi përkushtuar me prioritet për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo ngjarje sot na konfirmon se jemi duke i realizuar zotimet tona për të krijuar mekanizma për investime dhe për punësim. Jam i bindur se Fondin Kosovar për Garanci Kreditore po e themelojmë në një periudhë kur i kemi konsoliduar politikat tona fiskale, kur kemi një sektor stabil bankar, kur ecuritë makro ekonomike janë pozitive dhe më të mira në regjion, në qoftë se i matim me rritjen vjetore të GDP-së, dhe kur fryma ndërmarrëse, sidomos e të rinjve është në një trend të ngritjes. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria ka arritur të siguroj stabilitet buxhetor përmes përmbushjes së të gjitha parashikimeve për të hyra dhe të dala buxhetore.
Kemi bërë reforma të nevojshme fiskale, të cilat po aplikohen nga 1 shtatori i vitit të kaluar dhe përmes të cilave ne kemi krijuar lehtësira tatimore për inputet prodhuese, të cilat bëjnë shtytje domethënëse për prodhimin vendor. Bizneset po shprehen pozitivisht për efektet e këtyre politikave dhe në bazë të këtyre efekteve ato po investojnë në linja të reja të prodhimit, si rezultat i kësaj përkrahje.
Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar na ka mundësuar që të ndryshojmë kornizën fiskale dhe që vendi ynë të lirohet nga kufizimet për të marrë hua për projekte të cilat sigurojnë zhvillim dhe sigurojnë gjenerim të vendeve të reja të punës.
Sipas kësaj marrëveshje, ne do të fitojmë 185 milionë kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe po ashtu do të kemi mundësi që të marrim edhe 400 milionë kredi tjera nga burimet kryesisht evropiane, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Banka Investive Evropiane, dhe nga Banka Botërore.
Gjatë vitit 2015, ne kemi akorduar rreth 43 milionë grante dhe subvencione në bujqësi, kemi mbuluar rreth 38 mijë fermerë me këto grante dhe subvencione. Në bazë të kësaj po rritet prodhimtaria bujqësore, po mbillen më shumë sipërfaqe tokësore në Kosovë dhe po përmirësohet kultura bujqësore.
Mbi të gjitha, ne kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, e cila ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji dhe kjo Marrëveshje kontraktuale me Bashkimin Evropian na mundëson bashkëpunim cilësor me ekonominë e Bashkimit Evropian, qasje në tregun e Bashkimit Evropian dhe përftime nga IPA prej rreth 650 milionë euro. Ndërkaq liberalizimi i vizave, për çfarë ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, do ti barazojë bizneset tona dhe mundësinë e lëvizjes së tyre drejt Bashkimit Evropian.
Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive Biznesore do të jetë një institucion i pavarur, i cili do të funksionoj në bazë të ligjit. Funksionalizimi i tij i këtij fondi do të krijoj kushte shumë më të mira për financimin, pasi që bankat përmes këtij fondi do të kenë mbulueshmërinë e tyre rreth 50 për qind të kolateralit. Me këtë rast, unë dëshiroj të falënderoj veçmas donatorët ndërkombëtarë, falënderoj në rend të parë USAID-in dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e tyre edhe gjatë përgatitjes së ligjit, edhe gjatë konceptimit të fondit, por edhe për kontributin e tyre financiar, sepse janë bartësit më të mëdhenj financiar të këtij fondi, përkatësisht ata kanë ofruar mbi 11 milionë dollarë për këtë fond.
Po ashtu, falënderoj Gjermaninë dhe Bankën Gjermane për Zhvillim për kontributin e tyre financiar, ku kemi mbi dy milionë euro nga Gjermania, si dhe qeverinë suedeze për interesimin e tyre për të gjetur modalitet, që në të ardhmen të mbështet këtë fond.
Qeveria përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për tre vitet e para do të akordojë po ashtu mbi tre milionë euro, në mënyrë që ti përmbushim detyrimet tona.
Kryeparlamentari tha se ne llogarisim se do të kemi një numër të madh të punësuarish si rezultat i këtij fondi, do të kemi po ashtu edhe investime me qindra miliona, të cilat do të rriten mbi bazën e efekteve multiplikative që do të japë ky fond.
E theksova dhe po e përsëris prapë se Fondi për Garanci e Kreditore, është shtyllë e parë dhe më e rëndësishme për nxitjen e investimeve dhe punësimit.
Kësaj shtylle ne do tia shtojmë edhe instrumentet për subvencionimin e normave të interesit për sektorët prioritarë, me theks të veçantë bujqësinë, si dhe instrumentet financiare për përkrahjen e drejtpërdrejtë për bizneset e grave dhe të të rinjve, që mundësojnë punësim dhe diversifikim të ekonomisë sonë.
Ju falënderoj të gjithëve dhe veçmas USAID-in, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë për një kontribut tepër domethënës në këtë fazë të zhvillimit tonë.