05 Nëntor 2024

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka lehtësuar qasjen në financim

Prishtinë, 16 maj - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka vlerësuar lartë angazhimin e deritashëm të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Në shënimin e trevjetorit të lansimit zyrtar të këtij fondi dhe nënshkrimit të marrëveshjes me Fondin Evropian për Investime lidhur me Programin COSME, Guvernatori Mehmeti ka thënë se për BQK-në ka qenë privilegj që brenda mandatit të saj ligjor të kontribuojë  në procesin e themelimit të fondit, në veçanti në fushën e kornizës ligjore adekuate.

“Ky fond gjatë këtyre tri viteve ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Për një kohë kaq të shkurtë fondi ka arritur të garantojë më shumë se 2560 kredi në vlerë prej 100 milionë euro ku shuma e garantuar ishte 47.5 milionë euro."

"Studimet e bëra deri më tani tregojnë se mes tjerash se qasja në financim është një pengesë e zhvillimit të bizneseve të sektorit privat. Tashmë janë të njohura sfidat me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe mikro në njërën anë dhe vështirësitë që i kanë institucionet financiare për të vlerësuar rrezikun në rastin e financimit."

"Fondi ka shërbyer në tejkalimin e këtyre sfidave duke lehtësuar qasjen në financim për bizneset të mesme, të vogla dhe mikro duke bërë garantimin e kredive. Ky mekanizëm shtesë i financimit u ka ndihmuar atyre që të zhvillohen, të krijojnë vende të reja të punës, të eksportojnë dhe në këtë mënyrë ta pozicionojnë Kosovën në një nivel konkurrues në tregjet rajonale dhe evropiane”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Ai ka deklaruar se parakusht qenësor për funksionimin e mirëfilltë të fondit është që të ndërveprojë me një sistem bankar të qëndrueshëm dhe efikas, ndërsa rritja e vazhdueshme e konkurrencës në sistemin bankar, si dhe avancimi i këtij sektori, ka ndikuar që kostoja dhe kushtet e financimit të përmirësohen dukshëm dhe njëkohësisht kanë shënuar përmirësim të theksuar.

“Marrëveshja mes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe Fondit Evropian të Investimeve, mundëson rigarantimin e portfolios së garancisë deri në 45 milionë euro në një periudhë 2 vjeçare tek një institucion kredibil siç është Fondi Evropian i Investimeve dhe kjo do të ketë ndikim në rritjen e qasjes në financim për bizneset e mesme, të vogla dhe ato mikro. Me këto përfitime që fondi do t’i ketë, presim që të zvogëlohet tarifa për kreditë e garantuara nga Fondi Evropian i Investimeve."

"BQK-ja do të vazhdojë të sigurojë stabilitetin financiar që tani veç e kemi”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti duke siguruar mbështetje të mëtutjeshme të BQK-së për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore që i njëjti të ketë qëndrueshmëri financiare në mënyrë që të jetë në funksion të zhvillimit të bizneseve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)