Fondi i Trustit ka arritur në 740 milionë euro
Prishtinë, 16 janar - Udhëheqës të Trustit të Kursimeve Pensionale në një konferencë për media kanë bërë të ditur se Trusti i Kursimeve pensionale gjatë vitit 2012 ka pasur kthim nga investimet prej 54 milionë eurosh, apo 8 për qind.
Ata theksuan se fondi total i trustit ka arritur në 740 milionë euro, prej tyre vetëm 46 milionë janë investuar në Kosovë.
Gjatë vitit 2012 Trusti i Kursimeve Pensionale ka pasur kthim pozitiv nga investimet në tregjet financiare ndërkombëtare.
Kryetari i bordit të trustit, Ymer Havolli, tha se kthimi ka qenë për 54 milionë euro, apo shprehur në përqindje 8 për qind nga vlera e investimeve.
Sipas të dhënave të bazuara në parimin e CASH-i (parasë së gatshme), vlera e mjeteve nën menaxhim në fund të vitit 2012 ka arritur 740 milionë euro, një rritje kjo prej 152 milionë euro në krahasim me fundvitin e 2011-ës, ku ishin 588 milionë euro, tha Havolli.
Prej fondit të përgjithshëm të Trustit, vetëm 46 milionë euro janë investuar në Kosovë, prej tyre 33 milionë në bankat komerciale dhe rreth 14 milionë në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës. Havolli theksoi se kanë qenë të interesuar të investojnë më shumë në bankat në Kosovë, por bankat nuk kanë treguar interes për këtë:
Ne kemi shpallur disa herë tenderë për të ofruar mjetet tona për të investuar në bankat komerciale të Kosovës. Është paraqitur ndoshta një herë ose dy nga një prej tyre dhe kohëve të fundit nuk janë paraqitur fare për shkak se sigurisht kanë likuiditet të tepruar bankat e Kosovës dhe nuk kanë shprehur ndonjë interesim të veçantë me përjashtim të dy bankave më të mëdha.
Numri i të pensionuarve nga që nga fillimi i operimit të Trustit ka arritur në rreth 17 mijë, kurse vetëm gjatë vitit të kaluar numri i pensionistëve të rinj ka arritur në rreth 3 mijë e 300, për të cilët janë paguar rreth 8.2 milionë euro. Kurse numri i kontribuuesve të trustit aktualisht është 418 mijë sish.
(RTK)