Fondi i Punësimit mundësi e madhe për të gjithë
Prishtinë, 30 prill - Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në hapjen e Panairit e Përgjithshëm Ndërkombëtar Prishtina 2014, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Thaçi ka thënë se bashkëpunimi në mes Qeverisë së Kosovës dhe biznesit po thellohet çdo ditë e më tepër. Ai ka thënë se në të njëjtën kohë janë duke marrë vendime të rëndësishme të reformave që lehtësojnë dhe krijojnë kushte shumë më të mira për biznesin kosovar.
Jam i bindur se ky bashkëpunim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit të biznesit, shtetin e Kosovës do ta bëjë vendin më atraktiv për investime në rajon. Pa ndonjë modesti, i falënderoj të gjithë ministrat për punën e tyre të mirë që e kanë bërë në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, është shprehur Thaci.
Duke shtuar se në kuadër të lehtësimit të punës për biznesin, por edhe mundësisë së krijimit të vendeve të reja të punës, forcimit të biznesit kosovar, tani janë në fazën finale të formësimit të idesë për nxjerrjen e vendimit për krijimin e Fondit për Zhvillim, Investim dhe Punësim.
Ne jemi duke e ftuar vazhdimisht shpirtin ndërmarrës, të ri për krijimin e bizneseve të reja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Fondi prej 1.5 miliardë i Qeverisë së Kosovës, Fondi për Punësim dhe Zhvillim, do të jetë në dispozicionin tuaj për forcimin e ndërmarrjeve tuaja, për zgjerimin e tyre, për rritjen e prodhimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shfrytëzojeni këtë mundësi, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka bërë të ditur se Fondi i Punësimit është mundësi e madhe për të gjithë. Kërkoj prej jush që ta shfrytëzoni këtë mundësi dhe do ta keni përkrahjen time dhe të Qeverisë së Kosovës, ka thënë Thaçi.