Fonde humanitare për financime fetare në Kosovë
Prishtinë, 19 gusht - Shtatë organizata ndërkombëtare dhe njëmbëdhjetë vendore të cilat veprojnë në Kosovë nën petkun e ndihmave humanitare, janë duke u hetuar për keqpërdorimin e fondeve për çështje fetare.
Për 14 vjet më radhë që nga mbarimi i luftës në Kosovë, shumica prej tyre janë deklaruar se kanë ardhur në Kosovë për të ndihmuar skamnorët, por ato nuk japin llogari për prejardhjen e fondeve dhe mënyrën sesi i shpenzojnë ato.
Gazeta Zëri ka siguruar dokumente të institucioneve që janë duke i hetuar këto organizata të dyshimta.
Listat me emra të cilat i posedon gazeta, është kërkuar që të mos publikohen për shkak të rrezikut të prishjes se hetimeve. Ndërkohë që nga emrat mësohet se këto organizata kanë lidhje kryesisht me vende të Lindjes.
Në dokumentet që i posedon Zëri qartësohen veprimtaritë e këtyre organizatave dhe përshkruhen dyshimet që i kanë institucionet relevante mbi veprimtarinë e tyre. Ndërkohë nga hetimet është mësuar se buxheti i tyre nga viti në vit ka shkuar për organizime të ndryshme ; paga, trajnime, kurse, libra fetarë.
Pavarësisht numrit të madh të organizatave ndërkombëtare e joqeveritare në vend, organet e rendit së paku publikisht nuk kanë bërë me dije për hetimet në lidhje me veprimtaritë e këtyre organizatave.
Nga zyrtarë brenda hetuesisë gazeta ka mësuar se për vite të tëra ka dyshime në lidhje me këto veprimtari por se e tëra kjo është jo lehtë e zbulueshme ngase këto organizata veprojnë, pas pak viteve mbyllen, hapen të reja me drejtues të njëjtë.
/Zëri/