Fondacioni Jahjaga prezanton strategjinë e punës
Prishtinë, 13 shtator - Fondacioni Jahjaga organizon konferencën e donatorëve në të cilën do të prezantohet strategjia e punës së Fondacionit Jahjaga për pesë vitet e ardhshme.
Gjithashtu, konferenca do të mbledhë donatorë, organizata dërkombëtare që operojnë në Kosovë dhe organizata lokale jo-qeveritare, që të diskutohet për mënyrat si të rritet bashkëpunimi e të lidhet partneriteti.
Misioni dhe vizioni i këtij fondacioni është mbështetja dhe avancimi i mëtutjeshëm i proceseve demokratike dhe zhvillimit demokratik në vendin tonë.
Ky fondacion përkrahë projekte që do të punojnë drejtpërdrejt me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe fokusohet në disa fusha, të cilat janë të ndërlidhura kryesisht me avancimin e pozitës së gruas dhe të vajzave e djemve të rinj të Kosovës.
Fondacioni fokusohet, gjithashtu, me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në vend, veçanërisht me dukuritë negative si luftimin e korrupsionit, po ashtu me adresimin e çështjeve të ekstremizmit të dhunshëm, me çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë në vend, por edhe si rajon e që ndërlidhen me çështjet e pajtimit.