Fol: Zyrat e prokurimit me zyrtarë të koprruptuar
Prishtinë, 8 tetor - Zyrat e prokurimit në institucionet publike vazhdojnë të jenë burim kryesor i korrupsionit në Kosovë.
Lëvizja FOL në analizën Shpërdorimet në prokurimin publik, të publikuar të dielën, në të cilën analizohen shpërdorimet me autoritetin publik në fushën e prokurimit publik, fajëson partitë politike për nivelin e lartë të korrupsionit në këto zyra.
Sipas analizës së tyre, shpërdorimet të cilat hasen gjatë procedurave të prokurimit janë nga më të ndryshmet, si hartimi i dosjeve të tenderëve në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren për prokurim publik, caktimi i kundërligjshëm i kritereve të përzgjedhjes me qëllim favorizimi të operatorëve ekonomikë të caktuar për përfitime personale të zyrtarëve të prokurimit, vazhdimi i procedurave të prokurimit edhe pse nuk janë përmbushur kërkesat e Ligjit për Prokurim Publik.
Të gjitha këto parregullsi zyrtarët e prokurimit janë të shtyrë ti bëjnë nga ofertat lakmuese që ua bën pala tjetër ofertuese në tender.
Mbi të gjitha, emërues i përbashkët i të gjitha shpërdorimeve është korrupsioni, thuhet në raport.
Një shqetësim i madh për ta është edhe varësia e zyrtarëve të prokurimit të institucioneve publike nga partitë politike.
Ata emërohen, veprojnë dhe realisht edhe mbikëqyren nga partitë politike. Kjo e bën korrupsionin tërësisht të lidhur me partitë politike, ndaj si konsekuencë e saj luftimi i korrupsionit mbetet plotësisht në vullnetin politik të tyre.
Shpërdorimi me autoritetin publik në fushën e prokurimit publik është problem që evidencohet tashmë në secilin raport qoftë vendor apo ndërkombëtar. Në shumicën e rasteve përveç shkeljeve procedurale apo të çfarëdo natyre tjetër, emërtuesi i përbashkët i këtyre është korrupsioni, thuhet në raportin e FOL.
Për luftimin e kësaj dukurie, sipas kësaj organizate, shumëçka është bërë në letër, por rezultatet praktike lënë shumë për të dëshiruar.