FOL: Ska tatim pa informim
Prishtinë, 18 korrik Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën e diskutimit me çrast është publikuar edhe draft raporti Ska tatim pa informim: Transparenca në prokurimin publik në Kosovë.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se sot do të prezantohet raporti rreth prokurimit publik. FOL është marrë rreth 6 vite me prokurimin publik, duke parë që pengesat janë të shumta FOL është përkushtuar që të jap rekomandime dhe të ndikoj në përmirësimin e gjendjes së kësaj fushe, tha Zogaj.
Ndërkaq, Jeton Zulfaj, nga Lëvizja FOL tha se metodologjia e këtij raporti përfshin një sërë intervistash me institucione, hulumtim përmes rasteve të studimit, duke pasur fokus transparencën në prokurimin publik.
Të gjeturat kryesore të këtij raporti kanë të bëjnë me transparencën e kufizuar që e ofron korniza e tanishme ligjore si dhe qasja e kufizuar në dokumente publike bazuar në ligjin për prokurimin publik.
\"Sistemi i centralizuar i prokurimit bën që korrupsioni të jetë edhe me prezent, kurse mungesa e regjistrit të partnereve në prokurimin publik i le edhe me shumë hapësirë zhvillimit të korrupsionit. Mos verifikimi i bizneseve të huaja nga ARBK bën që të kemi mjaft biznese të huaja të fshehta që vijnë dhe operojnë në Kosovë\", tha Zulfaj.
Zulfaj shtoi se qasja në kontrata shpesh arsyetohet duke u thirrur në interesa komerciale, kurse platforma online e prokurimit publik ofron qasje të kufizuar për qytetarët që dëshirojnë të dinë më shumë rreth kontratave publike.
Vjosa Pllana nga FOL tha se \"institucionet që kufizojnë qasjen në dokumente publike mbi bazën e mbrojtjes se interesave ekonomike dhe komerciale bëjnë shkelje kushtetuese\".
Safet Hoxha, kryetar i KRPP-së, tha se të gjeturat e këtij raporti reflektojnë gjithë përfshirjen e institucioneve në shpenzimin e parasë publike. Sipas tij, të gjitha palët e interesuara duhet të kenë qasje të barabartë në të gjitha fazat në mënyrë që transparenca të jetë në nivelin e duhur.
Meqë prokurimin po e definojmë si proces kompleks, duhet të dimë se edhe legjislacioni jonë ka arrit të jetë në nivel të kënaqshëm, edhe pse ka nevojë ende për përmirësime. Hoxha tha se çdo blerje mbi 1000 euro, çdo ndryshim në proces të tenderimit, çdo rezultat, vendimet e OSHP-së etj, publikohen në ueb faqen e KRPP-së. Jemi duke punuar intenzivisht për përmirësimin e prokurimit elektronik që të rrit nivelin e transparencës dhe rritjen e besimit të qytetarëve në procesin e prokurimit publik.
Sipas tij, E-PROKURIMI për momentin është në fazë të kufizuar sa i përket qasjes në të, mirëpo është duke punuar në këtë drejtim dhe në momentin që platforma të stabilizohet do të kenë qasje edhe OJQ-të edhe qytetarët.
Stephen Carpenter nga USAID/TEAM, tha se do të ndalet më shumë tek transparenca e proceseve të prokurimit. Që të kemi një sistem të mirë të prokurimit duhet të kemi E-Prokurimin edhe më funksional, funksionim të mirë të auditimit, dhe të kemi media dhe shoqëri civile aktive, tha Carpenter, duke shtuar se Kosova ka shënuar progres në këto 4 fusha por ende mbetet shumë punë për të bërë.
Sipas tij, Qeveria ka paraqitur disa module kryesore, por ka ende edhe module tjera. Përgatitja e specifikacioneve teknike, rishikimi i ankesave, menaxhimi i kontratave, këto janë fushat ku USAID/TEAM, është duke punuar edhe me akterët tjerë që të ngritin më shumë kapacitetet.
Shaip Havolli, drejtor i AKK-së, tha se me shqyrtimin e kornizës ligjore, agjencionit i janë shtuar edhe disa përgjegjësi sa i përket hetimit të aktiviteteve të prokurimit. Problemi më shumë qëndron në monitorimin e kontratave. Këtu zakonisht bëhet dyshimi ngase operatorët ekonomik gjatë zbatimit shpërblehen sepse cilësia nuk është e mirë ose shërbehet më pak. Gjithashtu, problemi qëndron edhe tek zyrtarët e prokurimit të cilët duhet të sanksionohen për shkeljet që kanë bërë. Deri tash ka shumë pak dënime për këta zyrtarë ndonjë vërejtje me shkrim asgjë më shumë, tha Havolli, duke shtuar se bizneset të cilat janë nën hetime apo edhe atyre që iu është ngritur kallëzim penal, nuk po hyjnë në listë të zezë nga autoritetet kontraktuese.
Kreshnik Gashi, nga BIRN tha se po diskutojmë për transparencë e llogaridhënie në prokurim publik, por po harrojmë që qeveria ende po na mban të fshehtë kontratën më të madh në këtë vend atë të autostradës. Ka një vit e gjysmë që BIRN ka fituar gjyqin dhe Zyra e Kryeministrit refuzon të na jap qasje në faturat e shpenzimeve, tha Gashi.
Mehdi Pllashniku nga ARBK-tha se të gjitha të dhënat që ARBK i publikon në ueb faqe janë të përcaktuara me ligj.