FOL: Prokuroria të hetojë Fadil Ismajlin
Prishtinë, 25 maj - Lëvizja Fol duke u mbështetur në dokumentet e botuara në gazetën Zëri ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë një hetim ndaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajlit, pasi që ky i fundit sa ishte kryeshef i KOSTT-it i ka dhënë kompanisë që vetë e ka themeluar, Komtel, dhjetëra tenderë, në të cilët vlera kalon 10 milionë euro.
Në reagimin e Fol-it thuhet se të premten gazeta Zëri, në një shkrim të zgjeruar, duke u mbështetur në dokumentet që posedon, ka denoncuar përfshirjen e ministrit Fadil Ismaili në afera korruptive.
Siç njofton kjo gazetë, ministri Ismaili ka qenë i përfshirë në afera të ndryshme korruptive dhe në konflikt të hapur të interesit derisa ka ushtruar funksione të ndryshme në kompani publike. Këto materiale të publikuara do të duhej të ishin bazë e mjaftueshme që Prokuroria e Shtetit të inicojë hetime ndaj Ismailit. Besojmë që Prokuroria do ta marrë me seriozitetin e duhur çështjen e hetimeve dhe të deklarimeve për Ismailin, por edhe për rastet tjera, që media dhe shoqëria civile po ngre vazhdimisht, thuhet në reagimin e Fol-it.
Më tej thuhet se ministri Ismaili, i cili u emërua vetëm pak ditë më parë, ka marrë nën udhëheqje Ministrinë ndër më të rëndësishmet në Qeverinë e Kosovës, pra Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Sipas tyre, udhëheqja e këtij dikasteri qeveritar nga Ismaili, i cili përfshin procese të ndjeshme të ekonomisë së Kosovës, privatizimet e kompanive publike, orientimin strategjik ekonomik dhe të tjera, vihet në dyshim për shkak implikimit të tij shqetësues në afera të ndryshme korruptive dhe në konflikt interesi.
Po ashtu, duke qenë të zotuar deklarativisht që Qeveria e Kosovës do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit, Qeveria dhe kryeministri Thaçi do të duhej që të kenë një qëndrim në lidhje më të gjeturat e gazetës Zëri për Ismailin. Pa dyshim që është dhe mbetet përgjegjësi para së gjithash e kryeministrit për përfshirjen e ministrave dhe kabinetit qeveritar në afera korruptive.\"
\"Një gjë e tillë nuk do të duhej të mbetet peng e koalicionit qeveritar, duke bërë kompromise për të mos reaguar në raste të tilla, që zyrtarët qeveritarë denoncohen për afera korruptive, e të cilat janë në dëm të qeverisjes së vendit, në dëm të mirëmenaxhimit të pasurive publike dhe duke dëmtuar buxhetin publik dhe qytetarët e Kosovës, thuhet në reagim.